Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, reagoi për letrën që artistët e Teatrit Kombëtar i dërguan asaj dhe kryeministrit Edi Rama, ku kërkonin rritje të pagave, pas rritjes që iu bë kolegëve të tyre të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

E ftuar në emisionin “Frontline” të gazetares Marsela Karapanço, në News24, ministrja Margariti tha se “është një hatërmbetje mes vëllezërve dhe mendoj se do të kalojë”.

“Ai i rritjes së pagave të TKOB është premtim i vjetër. Ju shikoni investimin që është bërë në teatër dhe shikoni edhe vetë performancën e artistëve tanë, që gjithnjë e më tepër kanë zgjedhur të performojnë e shkëlqejnë në teatrot jashtë vendit. Ne duam t’i rijapim dinjitetin artistëve dhe jo vetëm teatrit. Kjo nuk do të thotë se nuk ka një vlerësim për aktorë të tjerë të skenës artistike. Ministria bën mbështetje shumë të gjerë ndaj artistëve. Patjetër që është në fokusin tonë, por është një farë lufte me kohën, me të gjithë elementët e tjerë që dalin në momentet e krizave, pandemisë, luftës aktuale, etj.. Vëllezërit e Teatrit kombëtar apo atij Eksperimental duhet të jenë të lumtur për vëllezërit e tyre në TKOB.

Më shumë investim në teatër, do të thotë më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit, pra është një lloj cikli. Nuk ka asnjë lloj dallimi mes tyre. Duhet të ishim të gjithë krenarë që kemi arritur këtë rritje pagash në një kohë të tillë, kur fare mirë këto para mund të shkonin në sistemin energjetik, për familjet në nevojë, etj. Vazhdojmë të qëndrojmë në një alert shëndetësor. Do duhet të kenë pak më shumë durim, sepse ne patjetër që duam t’iu japim dinjitetin të gjithëve atyre që punojnë për trashëgiminë kulturore”, u shpreh ministrja.

Pyetje: Artistët e Teatrit Kombëtar nuk kanë as teatër? Kur do të hidhen themelet për të pasur teatër?
Ne kemi buxhetin e alokuar këtë vit, por na ka prekur kriza në rishikimin e të gjithë çmimeve, pas daljes së aktit normativ. E kemi mbaruar këtë fazë, e kemi rishikuar, e kemi kaluar dhe miratimin në Ministrinë e Financave. Këshilli Bashkiak mblidhet javën tjetër, dhe më pas hapim tenderin. Dëshira dhe lufta që ne po bëjmë është që brenda vitit të hidhen gurët e parë.

Pyetje: 31 gushti, kushti i artistëve…
Dje bëmë një takim me sindikatën e artistëve, të cilët nuk kanë qenë pjesë e kësaj kërkesë-ankese, dhe patjetër që jemi gjithnjë të gatshëm për të shpjeguar hapat që ne duam të ndjekim dhe mundësitë që kemi. Ky është një hatërmbetje mes vëllezërve dhe mendoj se do të kalojë. 31 gushti besoj se e gjen dhe vetë Teatrin me pushime, kështu që kemi një moment të mirë në këtë periudhën, që do duhet të jemi pak më të relaksuar dhe të gjejmë kohën për të gjithë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb