Një shqiptari, i cili u dërgua në qendrën e largimit të imigracionit në Harmondsworth, pranë aeroportit Heathrow javën e kaluar, i është thënë se ai do të përballet me dëbim të menjëhershëm, një ditë pasi Ministria e Brendshme njoftoi planet për të shpejtuar largimin e shqiptarë të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil.

Shqiptari, i cili kërkoi azil në Mbretërinë e Bashkuar një dekadë më parë, nuk ka precedentë penalë, nuk është arratisur kurrë dhe thotë se ka respektuar vazhdimisht kërkesat e imigracionit duke raportuar çdo dy javë në zyrat e Home Office.

Gjithashtu, dy fëmijët e tij kanë lindur në Mbretërinë e Bashkuar dhe kanë leje për të qëndruar në ishull.

“Është sikur më kanë vendosur gjurin në qafë, sikur po më mbysin”, tha ai për TheGuardian, duke folur nga qendra e largimit.

“Ata erdhën për të kontrolluar restorantin ku unë po ndihmoja, më shumë se 10 prej tyre, të gjithë të veshur me uniforma. Ata thanë se kishin një informatë se një punonjës i paligjshëm ndodhej aty dhe filluan të pyesnin njerëzit për mua. Ata nuk më dhanë asnjë shpjegim, vetëm më çuan në stacionin e policisë, më mbajtën atje dhe më pas në qendrën e imigracionit. Më trajtojnë si kafshë”, rrëfeu më pas shqiptari.

Burri, i cili po mbahet nën akuzat e imigracionit pasi i janë shteruar të drejtat e tij për apelim, thotë se ka të drejtë për jetën familjare pasi fëmijët e tij kanë lindur në Mbretërinë e Bashkuar dhe kanë leje për të qëndruar, ndërsa shprehet se Home Office po i vërsulet në mënyrë të padrejtë shqiptarëve.

“I gjithë ky vend [Harmondsworth] është plot me shqiptarë. Duket sikur po na rrethojnë për të na futur në një [fluturim] charter nga këtu. Djali me të cilin po ndaj qelinë dhe gjysma e kësaj ane të kampit është me shqiptarë. Më shkoi në mendje se kjo është një hakmarrje ndaj nesh. Duket se qeveria po gjen boshllëqe për të na nxjerrë jashtë. Të gjithë janë të shqetësuar dhe të frikësuar, pasi ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me ne”, shprehet më tej shtetasi shqiptar.

Ndërkohë, të enjten, Ministrja e Brendshme Priti Patel njoftoi një marrëveshje me qeverinë shqiptare, e cila synon të largojë azilkërkuesit e refuzuar “sa më shpejt të jetë e mundur”,  me paktin që lidhet pas rritjes së numrit të mbërritjeve me gomone përmes kanalit të “La Manshit”.

Shifrat e fundit të publikuara nga Home Office tregojnë se 2,165 shqiptarë mbërritën në Britaninë e Madhe me gomone në gjashtë muajt e parë të 2022, krahasuar me 23 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga të gjithë ata që hynë në Mbretërinë e Bashkuar përmes kësaj rruge, më shumë se gjysma (51%) ishin nga tre kombësi, me shqiptarë dhe afganë secili që përbënin 18% të të ardhurve.

Ministria e Brendshme synon të pengojë ata që kërkojnë të kalojnë Kanalin duke lëshuar paralajmërime se ata nuk do të kenë të drejtë të jetojnë ose punojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe mund të përballen me dënime me burg për shkeljet e imigracionit.

Sipas zyrtarëve britanikë, Shqipëria është një “vend i sigurt dhe i begatë” dhe shumë shtetas “po udhëtojnë nëpër vende të shumta për të bërë udhëtimin drejt Mbretërisë së Bashkuar”, përpara se të bëjnë “kërkesa të rreme për azil kur mbërrijnë”.

Shifrat e Home Office të publikuara të enjten tregojnë se rreth gjysmës së të gjithë shqiptarëve që kërkojnë azil u jepet statusi i refugjatit. Të dhënat tregojnë se 21 persona janë larguar me forcë me arsyetimin se janë “të papranueshëm” për azil që nga Brexit.

Sipas planeve të reja, oficerët e policisë shqiptare do të dislokohen në bregun e Kentit për të vëzhguar ardhjet e emigrantëve dhe për të shkëmbyer informacione me qeverinë britanike.

“Publiku britanik nuk duhet të ketë asnjë dyshim për vendosmërinë tonë për të larguar ata që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Britaninë e Madhe. Ne kemi larguar tashmë pothuajse 1000 shtetas të huaj shqiptarë dhe shkelës të ligjeve të emigracionit gjatë këtij viti, duke përfshirë disa që kaluan Kanalin ilegalisht për të ardhur në vend”, tha një zëdhënës i ministrisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb