Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka reaguar ndaj mënyrës se si qeveria paraqiti buxhetin e 2026, duke e cilësuar atë si buxhet pa taksa dhe me ironi është shprehur se “është një mrekulli që s’e ka parë as ekonomia e përrallave”.
Sipas saj, fakti që buxheti po prezantohet pa paketën fiskale përbën shkelje të Kushtetutës dhe të Rregullores së Kuvendit.
Topalli thekson se pa burime të qarta të ardhurash, dokumenti buxhetor është i rremë dhe propagandistik, ndërsa paralajmëron se lejimi i këtij precedenti do ta shndërrojë Kuvendin në të ardhmen në noter të qeverisë.
Reagimi
Qeveria ka shpikur buxhetin pa taksa — një mrekulli që s’e ka parë as ekonomia e përrallave. Qeveria po paraqet buxhetin pa sjellë më parë paketën fiskale — dhe kjo është shkelje e qartë e nenit 78 të Rregullores së Kuvendit dhe e Kapitullit të Financave Publike të Kushtetutës. Kushtetuta thotë qartë: nuk mund të ketë shpenzim pa burim të ligjshëm të ardhurash. Pa paketë fiskale, buxheti është dokument i rreme — është propagandë, jo politikë financiare. Na tregojnë sa do të shpenzojnë, por e fshehin kush do t’i paguajë. Në këtë vend, buxheti vjen si dhuratë, pa faturë!
Në çdo vend demokratik, buxheti dhe paketa fiskale janë një e vetme. Keshtu ka ndodhur ne Parlament per mbi 2 dekada. Nëse lejojmë këtë precedent, nesër buxheti do të bëhet pa ligj, dhe Kuvendi do të mbetet vetëm noter i qeverisë. Po ta bënte këtë një student i vitit të parë të ekonomisë, do të ngelte provimin; po ta bëjë qeveria, e quan reformë.”
View this post on Instagram
