TIRANE

Nuk është hera e parë që Mihrije Braha flet për vështirësitë që ka kaluar në jetë. E ftuar së fundmi në emisionin “Glamour Zone”, këngëtarja rrëfeu tmerrin që ka përjetuar kur është ndaluar bashkë me bashkëshortin e saj, Naim Abazin, nga policia serbe.

Ajo tregoi se përveçse i kishin ofenduar, kishin nxjerrë edhe armën, të cilën ia kishin drejtuar në kokë.

“Kemi qenë me makinë. Natën. Na ndalon policia. Na thotë ‘fikeni makinën’ dhe mbaj mend që e kemi parë veten në ferra. Ishim vetëm ne të dy në makinë, policia dhe askush tjetër.

Me automatik tek koka Naimi dhe unë i kam mbyllur sytë edhe kam pritur kur po më kap plumbi, se na shanë e na fyen aty në serbisht.

Ndërkohë tha ‘ikni’ dikush prej policisë dhe nuk e di si e ka ndezur makinën. Të isha unë në timon, nuk di si do mund të dilja nga situata, sepse njeriu përjeton shok, traumë”.

Mihrija pranoi se tmerri i asaj nate nuk i ka kaluar akoma. Nga ana tjetër, këngëtarja tregoi për herë të parë edhe momentin më të sikletshëm që ka kaluar në skenë.

Gjatë një turneu në Evropë rreth vitit 1995, teksa po performonte në një sallë me më shumë se 3,000 vetë, rrethi i fustanit që përdorej për ta bërë atë të dukej i fryrë, i bie sapo përfundon së kënduari.

Braha tha se ishte detyruar ta tërhiqte ‘zvarrë’ atë derisa e nxori në prapaskenë për t’u rikthyer sërish përpara publikut e për të vazhduar me një tjetër album.

Pyetjes se a të ka ngacmuar ndonjëherë, një mashkull i famshëm i showbizz-it shqiptar, pa dijeninë e Naimit, këngëtarja iu përgjigj:

“Ka qenë një ofertë 1 milionë dollarëshe, një natë në një ishull. Është shumë i njohur, dhe është shqiptar. Më e bukura, është se pas kësaj telefonate, mora menjëherë Naimin dhe i thash cfarë ndodhi. Ai filloi të më tallte e të bënte shaka duke më thënë: ‘Më ke humbur 1 milionë dollarë’. Këtë ma ka përmendur 2 muaj e gjysmë.”

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: