Edhe pse mund të duket si paradoks, por është fakt i vërtetë e real. Në vendlindjen e kapitalizmit, populizmi e nacionalizmi i hapi rrugë konkrete fenomenit “exit”. Tashmë “Brexit” është në përmbyllje të procesit të tij, që ka shfaqur vështirësi konkrete, si përvoja e parë e tij. Në këtë mënyrë, fenomeni “brexit” është një fakt historik i përballjes së nacionalizmit e populizmit me kapitalizmin. Është fakt domethënës se, Gjermania e jo vendlindja e kapitalizmit është aktualisht mbrojtësja e vendosur e projektit europian dhe e sistemit të vlerave, që përfaqëson modelin perëndimor në evolucionin e tij deri më sot.

Abermas ka të drejtë kur pohon se nuk e prisja që populizmi ta mundte kapitalizmin në vendlindjen e tij. Dhe kjo tregon dhe flet shumë. Kuptohet roli i faktorëve kompleksë, sidomos i efekteve të krizës botërore, i akumulimit të shumë problemeve dhe sidomos ngecja e ecurisë së projektit europian etj., por në këtë kompleksitet faktorësh evidentohet pjekja e nevojës për reformimin e mëtejshëm të modelit perëndimor.

Ishte i shpejtë e disi i papritur, konkluzioni i shkurtër, që bënë publik drejtuesit kryesorë të modelit perëndimor në takimin e tyre për të shqyrtuar shpërthimin e krizës botërore të vitit 2008. Shkurt theksuan nevojën: “Ta bëjmë kapitalizmin më të moralshëm”. Pas kësaj, nuk kishte ndonjë lëvizje konkrete studimore apo e ndonjë lloji tjetër.

Asnjë reflektim apo reformim në skemën e prodhimit shoqëror C+V+M dmth., në sferën e prodhimit, shpërndarjes e qarkullimit, të mënyrës së shpërndarjes së fitimit nuk u krye. Që nga ajo kohë, dukuritë e prirjet tepër shqetësuese të rënies së ritmeve të e të treguesve të zhvillimit ekonomik e rritjes ekonomike, në vende e rajone të ndryshme e në shkallë botërore, të treguesve të papunësisë, sidomos në radhët e të rinjve, të rritjes së nivelit, vëllimit, përmbajtjes e shtrirjes sociale të varfërisë, pasojat e krizave ciklike, thellimi e rritja drastike e pabarazive ekonomike, sociale e rajonale etj., vetëm e kanë bërë më të ndërlikuar e më problematike situatën ekonomike e sociale në nivele të ndryshme e shkallë botërore. Organizma të ndryshëm ndërkombëtarë kanë evidentuar me shqetësim këtë përkeqësim ekonomik e social teksa evidentojnë se 7000 fëmijë në ditë në botë, nën moshën 5 vjeç, vdesin nga kequshqyerja, apo që 124 milionë njerëz vuajnë nga uria akute, që 151 milionë fëmijë vuajnë nga kequshqyerja, apo që në çdo minutë 5 fëmijë në botë vdesin nga uria dhe 51 milionë nga dobësimi gradual i masës trupore.

Problemet e mprehta ekonomike e sociale, në fakt kanë mpirë mendimin e veprimin vizionar e që mundëson përballimin e problemeve të lindura, ku ka mbetur vetëm alarmi e shqetësimi nga lart e poshtë i shoqërisë perëndimore. Klasat politike drejtuese, duke u ndjerë edhe si përgjegjëse për këtë situatë, në vend që të nxisnin përqendrim te reformimi i modelit dhe zgjidhjet e argumentuara shkencërisht, me një lloj çoroditje e dorëzimi përballë situatës, kanë kontribuar të lindin ide e qëndrime që kualifikohen si masa proteksioniste e luftëra tregtare. Dhe kjo ndodh në kushtet kur globalizimi ka avancuar së tepërmi. Është rritur e po bëhet më shqetësuese pasiguria sociale, ku në kushtet e mosreagimit shkencor, profesional e të përgjegjshëm, përfitues janë shfaqur jo ata që ndërmarrin veprime e programe, që përballojnë me efektivitet problematikën, që po bëhet edhe më e mprehtë, por nacionalistë e sovranistë laramanë, që po fitojnë terren duke u shfaqur si dalës zot në përballimin e kësaj situate e shqetësimeve në rritje nga qytetarët.

Është vërtet një zhvillim që tërheq vëmendjen, që një numër i dallueshëm e në rritje qytetarësh europianë po mbështesin e votojnë programe politike që godasin hapur sistemin e vlerave, bazamentin e modelit europian, në forma e qëndrime konkrete, siç është edhe mbështetja e qëndrimeve zyrtare, që nuk lejojnë vaporë të mbingarkuar me refugjatë të zbresin në territorin e një vendi anëtar të BE. Edhe pse mund të jenë viktima jo vetëm të keqqeverisjeve totalitare e krizave konkrete, por edhe të manipulimit nga trafikantë njerëzish, janë qenie njerëzore që duhen ndihmuar. Mbështetja e qëndrimeve, partive politike, mendësive e programeve të këtij lloji, mbyllëse e në dëm të sistemit të vlerave janë vërtet të dëmshme e të rrezikshme. Këtyre qytetarëve u duhet kujtuar se mbështetja e këtyre frymëzimeve nacionaliste e kundër sistemit të vlerave është e dëmshme dhe mund të kthehet nesër e shpejt edhe kundër tyre. Këto qëndrime bien hapur ndesh me nevojën e pjekur së tepërmi për ta bërë shoqërinë perëndimore më të moralshme. Këto dukuri dhe bombat sociale janë shumë dëmsjellëse e të rrezikshme, sepse mundësojnë edhe me mbështetje nga poshtë, daljen në skenë të aventurierëve politikë shumë të rrezikshëm e të dhunshëm.

Kjo situatë komplekse u bë terreni i përshtatshëm i rritjes së dallgëve të nacionalizmit e sovranizmit, që po luan me ndjenjën e pasigurisë e frikës sociale në rritje, duke ofruar filozofinë e mbylljes nacionale, e tërheqjes nga interesat e shtetit-komb e duke dalë jo vetëm kundër integrimit, sistemit të vlerave, që përbën bazën e modelit perëndimor, por edhe duke u vendosur në pozicion edhe të goditjes së këtij sistemi të vlerave. Brenda kësaj situate lindi fenomeni “exit”, që u përqafua dhe po kurorëzohet i pari në hapësirën e BE në Britaninë e Madhe, vendlindjen e kapitalizmit dhe vendit me kontribut të rëndësishëm në fitoren mbi nazifashizmin, si shfaqje ekstreme e nacionalizmit. Britania e Madhe ishte pjesë e rëndësishme e Kontinentit Europian në periudhën e luftës së ftohtë 1, por që me përqafimin e fenomenit “exit” duket se i rrinte disi ngushtë projekti europian. Po kështu, në Itali, një qeveri me profil nacionalist e sovranist, si dëshmi e rritjes së peshës së nacionalizmit në hapësirën e BE, po debaton tashmë me strukturat e BE, lidhur me buxhetin e miratuar me frymëzime sovraniste e që nuk mban parasysh principet ekonomike të dakordësuara në hapësirën e BE. Nacionalizmi i sotëm po shfaqet aktualisht jo thjesht si mbrojtje nga ndonjë kërcënim nacional, por më shumë si një egoizëm kombëtar, ekonomik e kulturor. Është fakt se në hapësirën perëndimore është rritur pabarazia sociale, që i ka bërë grupe konkrete sociale të pafuqishëm ndaj grupit tjetër, që duke pasur pushtet ekonomik, siguron edhe më shumë pushtet real. Kjo ndjeshmëri e vetëmbrojtjes së mjaft grupeve sociale, të goditur edhe nga papunësia në rritje, i nxit të bëhen pre e sloganeve sovraniste, nacionaliste e populiste, ku vetëruajtja dinamike luan rol jo të vogël. Në këto kushte zë më lehtë vend kultivimi i individualizmit dhe egoizmit nacional.

Është domethënëse për treguesin e rritjes së dallgëve të nacionalizmit edhe një fakt tjetër interesant, që vjen nga disa vende të ish-kampit socialist, që sendërtuan modelin perëndimor pas rrëzimit të komunizmit, që po shfaqin dashuri të madhe për nacionalizmin e kanë mundësuar dukuri që dëmtojnë funksionimin e demokracisë dhe sundimin e ligjit dmth., më saktë të funksionimit real të sistemit të vlerave në vendet e tyre. Janë këta tregues, jo vetëm të rritjes së peshës së nacionalizmit e sovranizmit në hapësirën e BE, por edhe të goditjes së rëndë të modelit perëndimor të zhvillimit dhe bllokimit real të ecurisë së projektit europian, që në thelb i ka shërbyer dhe i shërben integrimit të kontributeve, vlerave, aftësive e të interesave që bashkojnë e afrojnë njerëzit e popujt, evoluimit e reformimit të mëtejshëm të modelit perëndimor të zhvillimit. Është fakt që ecuria e projektit europian e bëri kapitalizmin më të moralshëm dhe mungesa e guximit të shtyrjes përpara të tij u ka hapur rrugë jo vetëm nacionalizmave mbyllës e frenues të zhvillimit ekonomiko-social, por edhe lindjes së prirjeve të rrezikshme, që mund të shkaktojnë dëme të pallogaritshme jo vetëm për vendet ku nacionalistët duan të fitojnë e të avancojnë, jo vetëm për vendet konkrete, por në tërësi për stabilitetin europian e më gjerë.

Nuk është e vërtetë që materializimi i vlerave e bëri hapësirën e BE-së një shoqëri të majtë e me një qeverisje të majtë, siç gjykojnë nacionalistët sot, që nxitojnë të fitojnë shumicën në strukturat europiane, që të groposin përfundimisht projektin europian. Jo sendërtimi funksional i sistemit të vlerave e afroi së tepërmi modelin kapitalist perëndimor me humanizmin, solidaritetin, me mbrojtjen e të drejtave të njeriut e sundim të ligjit, ngushtoi hendeqet tepër të thella të pabarazive sociale, e bëri më njerëzor, më të drejtë, më të denjë, më të zhvilluar e më të moralshëm e tash duhet të avancojnë për ta bërë edhe më të moralshëm, siç konkluduan udhëheqësit kryesorë perëndimorë, kur të alarmuar shqyrtuan krizën botërore e financiare të vitit 2008. Filozofitë sovraniste mbyllëse e antiintegrim, që në emër të mbrojtjes së interesave të shtetit komb, frymëzojnë ndarjen nga sistemi i vlerave, vetëm ushqejnë stanjacione ekonomike, politike e sociale, kontradikta të mprehta e konflikte, që në kushtet e një përkeqësimi të mëtejshëm të zhvillimeve ekonomike u hapin rrugë e ushqejnë filozofi e praktika ekstremiste të rrezikshme. Me sjelljen e filozofinë e tyre, nacionalistët e sotëm po godasin rëndë nga brenda vetë kapitalizmin e po bëhen pengues realë të evoluimit të domosdoshëm të tij, si nevojë historike në pjekje të vazhdueshme. Është koha për të parë dhe ecur përpara e jo për të kthyer kokën prapa.

Bashkimi e jo ndarja u duhet popujve europianë. Dhe mësimi i historisë po shfaqet konkretisht edhe në lëvizje nga poshtë, si ajo që ndodhi në Berlin e disa qytete të tjera të Gjermanisë, nën parullën domethënëse “Unteibar” dmth., të pandashëm. Filozofia e kësaj lëvizjeje është shumë e qartë dhe domethënëse: “Kundër racizmit e ndarjeve”. Mesazhi i qartë që u përcoll ishte: “Thuaje me zë të lartë, ne jemi të pandashëm”. Këtu nuk ka vend për nazistë. Vërtet është lëvizje që drejtohet problematikës në Gjermani, por ka vlerë europiane, sepse dëshmon se po fillon një ndërgjegjësim nga poshtë, shumë i nevojshëm ndaj zhvillimeve të një problematike, që cenon sistemin e vlerave, që ushqen ndarjet, racizmin e mbylljen, por edhe që përmban kërkesën e të qëndruarit të bashkuar rreth sistemit të vlerave. Është një reflektim ky në drejtimin e duhur, në kohën e duhur, por dhe gjithashtu në vendin e duhur, që sot po mban shumë peshë në mbrojtjen e sistemit të vlerave dhe të projektit europian.

Kjo lëvizje mund e duhet të ndihmojë për një zgjim e shkundje të vërtetë, sidomos të brezit të ri në të gjithë hapësirën europiane e më gjerë, që nëse nuk reagon më shpejt në mbrojtje të sistemit të vlerave e të projektit europian që e mishëron atë, do t’i bëjë të keqen më të madhe të ardhmes së vet, modelit perëndimor dhe vetë njerëzimit. Projekti europian e fuqizon, e shëndosh dhe i hap rrugë të vërtetë evoluimit të modelit perëndimor. Duket që brezi i ri mund të kontribuojë vërtet në hapje rruge të një veprimi të mirëmenduar e organizuar, që e reformon, e përsos, e gjallëron së brendshmi dhe e fuqizon modelin perëndimor të sistemit të vlerave, e avancon më tej atë. Vetëm përpara, çdo hap prapa është vërtet një dëm i madh historik.
Më 17 tetor 2018 /GazetaShqiptare/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb