TIRANE- Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ka pritur në një takim zyrtar Ministrin e Drejtësisë së Republikës së Italisë, Andrea Orlando, i cili e ka vizituar vendin tonë në kuadër të takimit Ndërkombëtar të Paqes me temë “Paqja është gjithmonë e mundur”. Gjatë diskutimit homologët janë ndalur në çështje të rëndësishme që lidhen me sistemin e drejtësisë si dhe e kanë vlerësuar takimin si një tregues të marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve tona dhe që njëkohësisht i shërben mundësive të mëtejshme për zhvillimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët.

Ministri Naço e informoi Ministrin Orlando lidhur me ecurinë e deritanishme të procesit reformues të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, ndërsa shprehu vullnetin e palëkundur të Qeverisë Shqiptare për ta finalizuar me sukses këtë reformë, që do të mundësojë forcimin e shtetit të së drejtës.

Biseda është fokusuar edhe në çështjet që lidhen me procesin e dekriminalizimit ku Orlando theksoi se Italia këtë proces mjaft delikat e ka realizuar në vitin 2012, në mënyrë të suksesshme. Duke garantuar asistencën e shtetit italian që edhe Shqipëria ta realizojë me sukses këtë proces, Orlando u shpreh se vendi ynë mund të përfitojë nga eksperienca Italiane në këtë drejtim.

“Jemi të gatshëm të ofrojmë modelin tonë lidhur me dekriminalizimin sepse tashmë ai përbën një sistem të konsoliduar në Itali”, u shpreh z. Orlando

Në drejtim të thellimit të bashkëpunimit përsa i takon luftës kundër kriminalitetit dhe korrupsionit, Ministri Orlando ka vënë në dukje se Italia mund ta asistojë vendin tonë në kuadër të hetimit të krimeve me karakter ekonomiko-financiar.

Ndërkohë, gjatë konferencës së përbashkët për media, Ministri Orlando theksoi se realizimi i reformës në drejtësi është kyq për anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe se institucionet ndërkombëtare po e ndjekin me interes ecurinë e kësaj reforme.

Ministri Orlando ka vlerësuar hapat e ndërmarra nga institucioni që ai drejton lidhur me ngritjen e sistemit të informatizimit të procesit civil, rreth të cilit e ftoi publikisht Ministrin Naço për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Itali, e për t’u njohur nga afër me funskionimin e tij sikurse edhe të mjaft reformave të tjera të ndërmarra nga Qeveria Italiane në drejtim rritjes së efiçencës në sisitemin e drejtësië.

Në fjalën e tij gjatë konferencës për media, Ministri Naço një vëmendje e veçantë iu kushtoi rritjes së ndërveprimit midis dy shteteve tona përsa i takon marrëdhënieve juridiksionale në fushën penale.

Deklarata e plotë e Ministrit të Drejtësisë, z. Nasip Naço:

“Fillimisht gjej rastin për të falenderuar dhe përgëzuar homologun tim, Ministrin Orlando lidhur me zhvillimin e vizitës së tij në vendin tonë, e cila bëhet për një kauzë madhore siç është ajo e promovimit të paqes në botë.

Bashkë me homologun Orlando diskutuam për reformimin e sistemit gjyqësor në Shqipëri, një reformim që po shkon në drejtimin e duhur.

Tashmë proçesi i reformimit është në fazën e tij finale, në draftimin qoftë të ndryshimeve kushtetuese, qoftë të ndryshimeve të tjera ligjore nga Komisioni i Posaçëm pranë Kuvendit, nga Ministria e Drejtësisë, por në çdo rast garancia është dhe do të jenë gjithmonë partnerët tanë ndërkombëtarë, ekspertët më të mirë të tyre, Komisioni i Venecias.

Sigurisht që ne diskutuam në lidhje edhe me marrëdhëniet dypalëshe me Ministrinë e Drejtësisë italiane apo atë të Shqipërisë në drejtim të transferimit apo të ekzekutimit të një sërë vendimesh të gjykatave respektivisht italiane apo shqiptare, ku mund të them se ndamë të njëjtin mendim me Ministrin italian të drejtësisë se marrëdhëniet tona janë të shkëlqyera.

Mund të them që nga viti 2011 deri në vitin 2015 nga Shqipëria në drejtim të Italisë janë ekstraduar rreth 150 persona, sepse kemi deklaruar qartë që Shqipëria nuk do të jetë strehë e krimit. Ky është një mesazh për të gjithë shqiptarët që banojnë apo jetojnë në Itali apo në vende të tjera të Bashkimit Europian se nëse kryejnë një krim nuk kanë për t’u fshehur në Shqipëri, sepse marrëdhëniet tona janë marrëdhënie të bashkëpunimit reciprok, marrëdhënie të një mesazhi të qartë që ne duam të integrohemi në Europë. Ndërkohë nga Italia në drejtim të Shqipërisë janë transferuar rreth 100 persona të dënuar dhe do të vazhdohet në këtë drejtim për të bashkëpunuar në mënyrë reciproke.Me ministrin Orlando ndamë të njëjtin shqetësim në lidhje dhe me sistemin tonë penitenciar, ku ne kemi filluar një reformim të këtij sistemi duke marrë për bazë në ndryshimet e fundit dhe modelin italian, për të garantuar sigurinë në sistemin tonë të burgjeve dhe sigurisht jemi të hapur për të bashkëpunuar edhe më tej në këtë drejtim.

Ministrin Orlando e informova në lidhje me luftën që ne kemi bërë ndaj korrupsionit, e vura në dijeni të ndryshimeve ligjore por edhe të motiveve që jemi nisur për ta krahasuar korrupsionin dhe për ta luftuar njëlloj siç luftohen bandat dhe organizatat kriminale. Sot ne kemi dy gjyqtarë të arrestuar për korrupsion, si dhe dy gjyqtarë të tjerë dhe një prokuror që që po hetohen për korrupsion.

Pra, ndryshimet që bëmë kanë filluar të japin efektet e veta, por sigurisht që edhe lufta me korrupsionin do të jetë një proçes i gjatë, një proçes i cili do të shkojë bashkë me reformimin e gjithë sistemit të drejtësisë.

Sigurisht që për shkak dhe të politikës së këtyre ditëve të fundit dhe për shkak të dekriminalizimit që flasin të gjitha palët, me Ministrin Orlando ndamë të njëjtin shqetësim që edhe klasa politike apo edhe administrata e lartë shtetërore duhet të jetë në përputhje me standartet dhe nivelet më të larta dhe në këtë drejtim u shpreh gatishmërinë për të dhënë asistencën e nevojshme në drejtim të proçesit të dekriminalizimit, të një proçesi reformues dhe ligjor i cili padyshim do të kërkojë dhe hartimin e ligjeve sa më të sakta, në përputhje me Kushtetutën, por edhe duke marrë eksperiencën më të mirë të partnerëve tanë ndërkombëtar”, përfundoi Ministri Naço.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: