Çmimi i naftës ka pësuar rritjen e saj më të lartë në 4 vitet e fundit, duke u shitur me mbi 81 dollarë për fuçi, pasi Arabia Saudite dhe Rusia refuzuan thirrjet e presidentit amerikan Donald Trump, për të shtuar prodhimin.

Arabia Saudite është udhëheqëse e kartelit të vendeve prodhuese të naftës “OPEC”, ndërsa Rusia është grupi më i madh prodhues i naftës jashtë këtij karteli.

Vendet e “OPEC”-ut u mblodhën në Algjeri për të diskutuar nivelet globale të furnizimit dhe sanksionet amerikane ndaj Iranit, një takim që gjithsesi përfundoi pa marrëveshje formale apo ndonjë shtysë për rritje të furnizimit.

Ministri saudit për Energjinë, Khalid al-Falih tha gjatë një konference për shtyp se ai nuk mundet të “ndikojë” në çmimin e naftës. Megjithatë, sipas agjencisë se lajmeve “Reuters”, OPEC dhe vende të tjera prodhuese kanë diskutuar rritjen e mundshme të prodhimit me 500 mijë fuçi në ditë.

Shitjet e naftës bruto të Iranit kanë rënë, pasi blerësit u janë frikësuar penalizimeve që rrjedhin si pasojë e sanksioneve që pritet të hyjnë në fuqi në nëntor. Pikërisht kjo frikë ka bërë që çmimi i naftës të shënojë rritje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: