NGA: ERJOLA JATA
TIRANE– Ndonëse çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka rënë duke ndikuar edhe në industrinë nxjerrëse në vendin tonë, kompani me emër ndërkombëtare kanë shfaqur interes për Shqipërinë. Këtë e ka pohuar edhe vetë kreu i AKBN-së Dael Dervishi i cili në një intervistë ka deklaruar se mes kompanisë SHELL dhe Deleg grup po mbyllen marrëveshje të rëndësishme për kërkimin e naftës dhe gazit në Shqipëri.

“Interesi nuk është ulur aspak pasi edhe kompanitë e kërkimit disa prej tyre në këto moment janë duke përfituar nga çmimet e ulta të nënkontraktorëve të cilët ofrojnë shërbime për të gjitha proceset e tjera duke përfshirë edhe sizmiken, ka pasur një rënie të çmimeve dhe shumë kompani janë të interesuar ti zgjerojnë aktivitete e kërkimit. Ne kemi pasur goxha interes nga kompani të rëndësishme kombëtare për të kërkuar naftë në vendin tonë. Vazhdojmë të jemi në negociata me dy nga këto kompani siç janë SHELL dhe Deleg Grup me këtë të fundit jemi pothuajse në përfundim të një marrëveshje të re kërkim në bllokun e Dumresë, ndërsa me kompaninë SHELL jemi ende me negociata për të përmbyllur një kontratë kërkimi për bllokun 4.”, tha Dael Dervishi.

Por interes të madh ka nga kompani për të kërkuar naftë në det, por sipas kreut të AKBN-së Dael Dervishi duhet që këto kompani të jenë të specializuara.

“Qëllimi jonë është që të fillojmë një raund negociatash për blloqet në det edhe për këto ka një interes të veçantë nga kompani që janë të specializuara në kërkimin në det. Duke qenë se kemi pasur disa kompani në të kaluarën që kanë qenë operator në detin tonë shumë prej këtyre nuk i kanë përmbushur detyrimet kontraktore dhe ne jemi në përfundim të kontratave me këto kompani dhe sapo këto blloqe në det të jenë të lira ne do i kontraktojmë këto kompani për kërkimet në det.”, theksoi Dael Dervishi.

Rënia drastike e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare ka ndikuar negativisht edhe në sektorin e industrisë nxjerrëse në vend. Të ardhurat nga renta minerare në dy vitet e fundit janë përgjysmuar. Sipas Dervishit nga 61 milionë dollarë në vitin 2014 të ardhurat nga renta minerare në 2015 u ulën në 32 milion dollarë duke i shkaktuar humbje buxhetit të shtetit. Ndërkohë që edhe për vitin 2016 parashikimet janë për përgjysmim të të ardhurave nga renta minerare në 22 milion dollarë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: