TIRANË- Nënkryetari i Partisë Demokratike, deputeti Edi Paloka ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po i jep naftën shqiptare firmës ruso-serbe të Putinit dhe detin me gjithë zonën naftëmbajtëse Greqisë.

Reagimi i Palokës vjen pas publikimit të investigimit mbi koncesionet e tre fushave naftëmbajtëse në jug të Shqipërisë ku thuhet se Ministria e Energjisë shpalli fitues të një gare të mbajtur nga Albpetrol kompaninë Transoil Group AG – e lidhur me kompaninë ruse Gazprom Neft dhe atë serbe NIS, duke ngritur dyshime për shkeljen e barazisë në tender dhe konflikt interesi.

Në një status në “Facebook”, Paloka sjell ndërmend emra të njohur si tradhtarë nga historia, si Hamzain apo Esat Pasha dhe iu bën thirrje shqiptarëve të hapin sytë sa nuk është vonë.

“I jep naftën shqiptare, firmës ruso-serbe të Putinit, pasi ka akuzuar PD si të lidhur me rusët dhe ju ka vënë trarin me pagesë kosovarëve.
I jep detin me gjithë zonën naftëmbajtëse Greqisë, pasi ka eliminuar krejtësisht Gjykatën Kushtetuese (kështu askush nuk e pengon zbatimin e marrëveshjes që ka bërë).
Vetëofrohet për të kthyer vendin në një kamp të madh refugjatësh nga Siria dhe Afrika ndërkohë që ka çuar refugjatë 400 mijë shqiptarë.
Shqipëria është damkosur si ishulli i krimit në Evrope, ky akuzon opozitën se pengon integrimin pasi ka mbrojtur Tahirin e vazhdon të mbaj Xhafajn ministër të brendshëm. E ndërkohë shqiptarët vazhdojnë të vriten e vetëvriten.
Çfarë Hamzai? Çfarë Esat Pashe? Ky është Edvin Rama. Hapni sytë sa nuk është vonë, nga Prishtina në Tiranë”, shkruan Paloka.

Paloka fb

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb