TIRANË

Pas qëndrimit të kryeministrit Edi Rama të bërë publik përmes një mesazhi të shpërndarë në “Twitter” ka ardhur dhe përgjigjja e menjëhershme e naftëtarëve.
Ata shprehen se nuk janë kundër negociatave por se greva do të mbyllet kur të marrin diçka konkrete nga ato që kërkojnë.

Naftëtarët i kërkojnë Ramës të përcaktojë datën, orën dhe vendin e takimit për t’u ulur në tryezë.

‘Na ka ardhur një lajm nga kryeministri, i cili na dërgon një mesazh. Mesazhi është ky: ‘Ne po punojmë për të gjetur investitorë seriozë për rindezjen e rafinerisë edhe pse greva juaj nuk na ndihmon për këtë. Ndërkohë meqë ju nuk po pranoni as të dilni në asistencë ka vetëm një rrugë, mbyllni grevën dhe ulemi të qajmë hallin’.
Ne i themi zotit kryeministër, faleminderit për këto mesazhe që na shkruan por ne nuk jemi kundër negociatave ose uljes me atë në tavolinë. Po e them në emrin tuaj, të na caktojë datën, orën dhe vendin e takimit. Në momentin që do ulemi dhe do marrim diçka konkrete nga zoti kryeministër atëherë kjo grevë do të mbyllet”, tha përfaqësuesi i naftëtarëve.

Ai tha se kanë gratë grevistë që janë mbyllur brenda uzinës në dorë për të vendosur.
“Përderisa nuk kemi një orar apo një vend të caktuar nga ana e kryeministrit për t’u ulur, llafi nuk është i yni por i atyre grave. Në rast se ato gratë, heroina dhe motrat tona pranojnë kushtin që ka çuar kryeministri dhe ne jemi të gatshëm. Dhe njëherë i bëj thirrje z. kryeministër në emër të gjithë naftëtarëve, data, vendi, ora e caktuar për të takuar. Pa një gjë konkrete nuk dalim nga greva, megjithatë do ia lëmë kohës dhe takimit hallin”, u shprehën naftëtarët. Nga ana tjetër gratë nuk kanë pranuar ta mbyllin grevën.

Kryeministri Edi Rama iu kërkoi naftëtarëve mëngjesi ne sotëm të mbyllin grevën dhe të ulen të qajnë hallin.

“Të dashura greviste të Ballshit, është e drejta juaj të mos dilni nga greva, por është e pamundur të ulemi bashkë me presione e ultimatume! Jam gati të vij tek ju sapo të mbyllni grevën e të flasim si do mundemi t’ju ndihmojmë për këtë hall që nuk e ka krijuar qeveria. Ne po punojmë për të gjetur investitorë seriozë që të rindezin rafinerinë edhe pse greva juaj nuk ndihmon as për këtë! Ndërsa për ndihmën e mundshme shtetërore ndërkohë, meqë ju s’pranoni as të dilni në asistencë, ka vetëm një rrugë: Mbyllni grevën dhe ulemi qajmë hallin!”, shkroi kryeministri.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb