Trajneri i Belgjikës, Roberto Martinez, shpalli dje listën me futbollistët që do të grumbullojë për Botërorin dhe në të binte në sy mungesa e Radja Naiggolan, vendin e të cilit e kishte zënë Adnan Januzaj.

Mesfushori i Roma-s reagoi menjëherë me anë të një statusi në rrjetet sociale ku jo vetëm thumboi trajnerin, por befasisht njoftoi edhe tërheqjen nga kombëtarja. Sot 30-vjeçari ka folur sërish, këtë herë për mediat e vendit të tij.

“Unë kështu jam, nuk mbaj dot maska, s’kam çfarë të bëj. U lodha me etiketimin ‘djali i keq’ që më është vënë. Futbolli është ende një hobi për mua, që është kthyer edhe në profesion. Por, unë dua që të më gjykojnë për lojën time, jo për atë çfarë bëj jashtë fushe. Nuk e di nëse do të na duhet të flasim ndryshe për Maradonën për këtë motiv. Çdokush është i lirë të bëjë atë që do, nëse në fushën e lojës bën paraqitje të mira”, tha Nainggolan.

Për Nainggolan, kjo do të jetë hera e dytë radhazi që nuk do të jetë protagonist në një kompeticion si Kupa e Botës, e në këtë pikë mesfushori belg u tregua edhe më i ashpër në drejtim të Martinezit.

“Mjaft, nuk dua të luftoj më. E kam pasur ëndërr që fëmijë të luaj një Botëror, por ma shuan këtë ëndërr. Ndërkohë, mendoj se jam në librin e rekordeve Guinness, pasi jam i vetmi futbollist i një niveli kaq të lartë, që nuk i jepet mundësia të luajë në dy Botërorë radhazi. Është diçka e pakuptueshme, që arrin të më bëjë edhe të qesh”, deklaroi Nainggolan.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb