Dy shtetas marokenë janë arrestuar sot nga policia e Tiranës, pasi akuzohen për një seri vjedhjesh të kryera në zonën e Ali Demit dhe te Rruga e Barrikadave.

Në kuadër të operacionit ‘Befasia’ u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i dy shtetasve marokenë, konkretisht shtetasit Nuredin Boulam dhe Husein Albasar, 23 vjeç dhe 30 vjeç, të dy banues në Tiranë. Këta shtetas i kanë vjedhur me dhunë sendet personale shtetasit sirian M. H., 30 vjeç. Gjithashtu, nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas janë dhe autorë të disa vjedhjeve të tjera të telefonave dhe bizhuterive të ndodhura më parë në zonën e Ali Demit dhe në Rrugën e Barrikadave.

Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit fizik të këtyre shtetasve dhe të banesës së tyre, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë provës materiale një shumë parash, bizhuteri, ora dore, aparate celular dhe sende të tjera. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sendet e vjedhura dhe një shumë parash. Materialet do t’i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb