Në një intervistë të gjatë në emisionin “Opinion”, ish-Kryeministri Fatos Nano ka folur ndër të tjera edhe për dorëheqjet e tij gjatë karrierës politike dhe rikthimet sërish në skenë.

Nano tha se dorëheqjet e tij kanë qenë të kalkuluara, ashtu si edhe rikthimet e po kështu e kalkuluar ishte nxjerrja e Pandeli Majkos dhe Ilir Metës në skenën politike.

“Kur dhashë dorëheqjen si kryetar partie dhe thirra kongresin në 1998 për 1999, llogarita që do t’i jepja kohë vetes të dilja nga zinxhirët e kryetarit dhe për të marr një tur në bazën e partisë, për të përgatitur kongresin dhe natyrisht për t’i tronditur mbështetësit e panumërt të Nanos me idenë që: Ore, mos na ikën me gjithë mend ky. Dhe funksionoi. Rikthimi ishte i kalkuluar, fitova kongresin, rikthimin në qeveri. Unë u largova në fund të ‘98, për një arsye thelbësore. Ballafaqimi dhe konflikti Nano – Berisha për shkak të Berishës, kishte arritur kulmin dhe nuk dihej si përfundonte. Atëherë arsyetova, që po nxjerr dy fytyra të reja që ishin Majko e Meta. Dhe ralisht konflikti u zbut, për një kohë që i shërbeu administrimit të krizës së Kosovës. Kanë qenë të kalkuluara rikthimet. Nuk mund t’i dorëzohesh kollaj kësaj ngasjes, qarkullimi i elitave, pse rrini, pse nuk ikni…. Në politikë të mban vota”, u shpreh Nano.

“Kisha nevojë për një rebel mes socialistëve, përse e ftova Ramën”

Një ftesë e Fatos Nanos në vitin 1998, e solli Edi Ramën në Tiranë për t’u bërë nga ajo kohë pjesë e politikës, në mënyrë të pandërprerë.
Gjatë intervistës së tij në emisionin “Opinion”, Nano ka treguar edhe arsyet e ftesës në atë kohë, duke e cilësuar Ramën një rebel për të cilin ai kishte nevojë.

Fevziu: Përse vendosët ta thërrisnit Ramën në qeveri në 1998 kur nuk njihej për karrierën politike dhe njihej si njeri problematik dhe polemist, a u penduat më pas për këtë?

Nano: Shumica e pjesëmarrësve të rinj në politikë nuk kishin përvojë politike. Kështu që nga kjo pikëpamje Rama nuk mund të stononte. E dyta unë kisha arritur të flas me Edin, gjatë dy viteve të mia në Paris kur takova Zhospenin, mars- prill 1998. U takuam natyrshëm.

Fevziu: Në atë kohë nuk kishit idenë për ta ftuar?

Nano: Aty e ftova. Kemi harxhuar një natë të gjatë duke bredhur rrugëve të Parisit, sa u mbyllën lokalet. Dhe ai ishte i shoqëruar me gjermankën atëherë, partneren e tij dhe ajo i thoshte: Dëgjoje ka të drejtë. Unë e fotja ai hezitonte. Arsyeja ishte njerëzore. Unë kisha nevojë për një rebell në rrethin e socialistëve. Një njeri me ide novatore që të provokonte mendimin e ndenjur që trashëgova. Dhe isha i sinqertë në këtë ftesë.

“Ministrinë e Kulturës ja kisha premtuar Luan Ramës, ja dhashë Edit”
Fatos Nano ka treguar gjatë intervistës së tij në emisionin “Opinion” se pavarësisht ftesës që i kishte bërë Edi Ramës në vitin 1998, për t’u përfshirë në PS, ai hezitonte.

Nano tha se Rama ka marr vendimin vetëm pas vdekjes së të atit, pikërisht në një kohë kur ish-Kryeministri ka qenë duke formuar qeverinë e prillit të vitit 1998.

Ministria e Kulturës, e cila vetëm pak minuta më parë i ishte premtuar Luan Ramës, tashmë ju dorëzua Edi Ramës.

Fevziu: Ai pse hezitonte?
Nano: Sepse nuk ishte shkëputur ende nga jeta e emigracionit, nga projektet aristike, shoqëria që kishte krijuar, nuk ishte gati me sa duket për t’ju afruar politikës tek e cila kishte pësuar zhgënjimet e para kur u krijua PD, apo jo?

Nuk formulonte argument kundër por ama voluntive e reagimit ishte negative. Me sa duket vdekja e Kristaqit solli një kapërcim në arsyetimin e tij.

Fevziu: Ja përsëritët ftesën?

Nano: Jo, erdhi direkt në zyrën time, pasi ishte varrosur Kristaqi. Për coincidence, kur unë po mbyllja qeverinë e prillit të ‘98. Për koiçidencë sapo nxora nga zyra Luan Ramën duke e emëruar si ministër të kulturës.

Rama që doli dhe unë që isha brenda nuk e dinim ça interesi kishte Rama që hyri dhe tha: Jam gati të hyj Ministër Kulture. Lajmërvoa sekretaren dhe i thashë: Kape Luanin, mos e lër të iki. E takova në paradhomë Luanin dhe i thashë: Do e lëmë për një herë tjetër. U ktheva brenda dhe i thashë: Dakord, Ministër Kulture.

Fatos Nano tha se nuk është penduar për futjen e Edi Ramës në politikë. Gjatë një interviste në emisionin “Opinion”, ai u shpreh se Rama është maturuar në detyrën e kryeministrit.

Fevziu: Jeni penduar?
Nano: Nuk jam penduar sepse në tërësinë e vet Rama ka dhënë një produkt shumë të vlefshëm në politikë. Pra, nuk mund ta gjykojmë vetëm për periudhën e Ministrit të Kulturës, nuk mund ta gjykojmë vetëm për periudhën si kryetar bashkie, do ta gjykojmë edhe si kryetar opozite gjithashtu dhe si Kryeministër në dy mandate.

Fevziu: Si e gjykoni si kryeministër?

Nano: Edi Rama është maturuar dukshëm në zyrën e Kryeministrit dhe në detyrën e Kryeministrit, sepse detyra e Kryeministrit është e tillë, që kur e bën me seriozitet të maturon. Të bën të ndjesh deri në pore përgjegjësinë e vendimarrjes në dobi të shumicës së njerëzve.

Fevziu: Ka shumë akuza që nuk zbaton ligjin, për korrupsion, për marrëdhnëien me oligarkët siç thuhet…

Nano: Rama ka një ekip që vërteton përputhjen me ligjin të vendimeve që merr, që nuk bëhet më i mirë sot. Edhe sikur Rama të marri urdhra nga ato të fillimit, që nuk e njihte ligjin etj, etj, nuk e lë ekipi ta bëjë.

Fevziu: Po akuza për korrupsion?

Nano: E kush nuk ka zhurmë, valë për akuza me korruspionin në Shqipëri?

Fatos Nano e ka cilësuar Ilir Metën si përfituesin më të madh të mbështetjes së tij. Gjatë një interviste në emisionin “Opinion”, Nano tha ndër të tjera se so nuk ka asnjë raport me Ilir Metën sot, madje as komunikim.

Pjesë nga intervista

Nano: Nuk kam asnjë raport sot, as fizik as..

Fevziu: As mesazhe?

Nano: Fare dhe nuk më mungon. Pse nuk më mungon, sepse Ilir Meta është një nga përfituesit e mëdhenj të mbështetjes sime.

Fevziu: Edhe të kontributit që ka dhënë vete

Nano: Unë po flas nga ata që kam mbështetur, nuk thashë që është bërë vetëm nga mbështetja ime. Është një nga përfituesit më të mëdhenj, që nga Freshi, nga qeveria e parë, nga komiteti i partisë së Tiranës, i dhashë degën e Tiranës të drejtojë, kur të gjithë thonin është rivali i ri i Nanos, deri tek qeveria e fundit.

Ilir Meta u bë Kryeministër në 99, pas një marrëveshjeje me mua pas kongresit dhe mbeti si i tillë deri ditën që dha dorëheqjen, kur mendoi se bashkë me krizën energjitike do hante edhe kokën e Fatos Nanos. Sapo ishim marr vesh që të vazhdonte drejtimin e qeverisë, papritur më thotë: E deshe, merre mbaje me gjithë krizën e energjisë dhe iku.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb