Presidenti i Republikës Ilir Meta ka treguar sot se angazhimi i tij kryesor për të ardhmen nuk është thjesht një luftë për pushtet, por për të instaluar referendumin që ne e kemi në Kushtetutë dhe që këtu është bllokuar.

Ai tregoi se para se të krijonte LSI-në kishte pasur një propozim nga ish-kryeministri Fatos Nano.

“Së pari, pesimizmi është vetëm humbje kohe. Së dyti kam qenë më koherenti se kushdo në raport me Kushtetutën, me mosndryshimin e Kushtetutës. Sa herë ka ndryshuar Kushtetuta nuk mbahet mend.

Angazhimi im kryesor për të ardhmen, nuk është thjesht një luftë për pushtet, për të hequr këtë dhe për të vënë dikë tjetër, apo edhe Ilir Metën është pikërisht për të instaluar referendumin që ne e kemi në Kushtetutë dhe që këtu është bllokuar dhe po kështu për të bashkëpunuar me të gjithë ata shqiptarë që kanë nxjerrë mësime pas kaq kohësh dhe që të kuptojnë që gjëja më e rëndësishme dhe më e shtrenjtë pas familjes, për të ardhmen tonë, për vendin tonë është Kushtetuta.

Kjo i tejkalon të gjitha. Edhe kur kam krijuar LSI-në, jo se doja të krijoja një parti. Unë isha në PS dhe Fatos Nano mu lut që të bëhesha dhe kryeministër dhe kryetar partie që ai të bëhej President. Ma ka sjellë Nano marrëveshjen që ai të bëhej president, por unë nuk pranova sepse ishte çështja e Dushkut dhe ai kufizimi që vuri PE për

Presidentin që duhej zgjedhur me konsensus.
Krijova partinë për të hequr një pengesë të madhe që kishte të bënte me rëndësinë e çeljes së negociatave të asociim stabilizimit. Disa gjëra ndryshuan, u çelën negociatat, por nuk u mbyllën. Për mua nuk janë të rëndësishme partitë. PS-ja të cilës unë i vajta në ditët më të errëta, në 1991, në opozitë vajta dhe unë e kisha kollaj PD-në se student isha.

Për mua nuk janë të rëndësishme partitë, për mua është i rëndësishëm vendi dhe t’i shërbej vendit. Nuk është një sfidë e lehtë, por këtë eksperiencë që kam, këtë vullnet që kam dhe çdo gjë që kam të akumuluar në 30 e ca vite politike, gjithçka si eksperiencë, si vendosmëri do ta investoj në këtë drejtim, në drejtim të fuqizimit të opozitarizmit dhe çkapja e opozitës do sjellë çkapjen e shtetit dhe do ua kthejë Shqipërinë shqiptarëve”, deklaroi Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb