TIRANË- Megjithëse debati në Komisionin e Ligjeve, ku ishte i pranishëm Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka qenë serioz dhe i nxehtë, deklaratat e deputetit Nard Ndoka kanë shkaktuar ilaritet dhe të qeshura në sallë. Ndërsa Ndoka po i kërkonte llogari ministrit Tahiri për situatën në vend ka bërë disa lapsuse që do të mbahen mend gjatë, pasi tashmë ai njihet për batutat e tij.

Pasi thuri batutën e lëvizjes së një të burgosuri tashmë “me leje me armë me vete”, Ndoka akuzoi Tahirin se automjeti i tij, “lëviz me targat e tij personale”.

DEBATI
Nard Ndoka: Edhe personi që ka vrarë për një plep, ka qenë person problematik. Ai ka shëtitur disa herë, në bazë të informacioneve, me leje pa armë. Me leje me armë me vete.

Saimir Tahiri: Me armë pa leje?!!

Nard Ndoka: Po se s’ka ndonjë gjë, termat i di shumë mirë ti. Por ishte një lapsus. Policia e Shtetit duhet ta kishte arrestuar këtë person, që ka lëvizur dhe ka terrorizuar fshatin. Ky person nuk duhet të kishte vrarë, zoti ministër. Dhe mos i nxirrni dhëmbët, se nuk ishte ndonjë gafë e madhe…
(Anëtarët e komisionit qeshin)

Saimir Tahiri: S’po e mbasha dot të qeshurën.

Nard Ndoka: I di më mirë se ty termat. Për ndreqje gabimesh je i mirë, por problemi është që ti duhet të korrigjosh gabimet e tua. Për gjëra që të bëjnë fajtor politikisht dhe ligjërisht para opinionit qytetar… Në një kohë që ministri deklaron që: Ç’faj ka ministri apo policia për parandalimin e krimit, ke bërë një gafë shumë të rëndë dhe këshilltarët duhet ta kishin thënë. Pjesa tjetër, makina juaj ka shëtitur me targat tuaja personale, ky është problem kryesor për institucionin e ministrit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: