Ish-kryeministri Sali Berisha në një takim me demokratët, ka treguar se çfarë qëllimi ka pasur turi i tij në të gjithë Shqipërinë, e pagëzuar me emrin “Foltorja”.

Ai ka thënë se qëllimi ka qenë për të bërë një Parti Demokratike më të bashkuar, më solide dhe të aftë të rikthehet në pushtet. Berisha nënvizoi se kjo është arritur, pasi demokratët dhe demokratet tanimë i besojnë më së shumti lëvizjes dhe parimeve të tij.

“Prej më shumë se një muaji mori jetë në një moment kritik të historisë së pluralizmit lëvizja e një grupi deputetësh drejtues qendrorë, lokalë të PD, anëtarë e anëtare të kësaj partie me qëllimin më madhor ringritjen e PD, shndërrimin e saj në një forcë vigane opozitare dhe me mision çmontimin e narko-shtetit, rikthimin e Shqipërisë në rrugën e demokracisë dhe integrimit.

Ky proces, ka një kusht para së gjithash e mbi të gjitha, shndërrimin e PD, në një forcë të vlerave konservatore në Shqipëri. Ju jeni dëshmitarë, se si kreu i meduzës Edi Rama, me të gjithë anturazhin e tij të krimit dhe të drogës arriti pothuaj të shuajë opozitarizmin në Shqipëri. Arriti, të shndërrojë PD në një parti që u largua këto 8 vite nga vlerat e saj themelore, nga parimet e saj themelore, mandatin e tretë të Edi Ramës. Një rol e rëndësi të veçantë ka luajtur dhe Geroge Soros me mafien e tij. Armik i egër i konservatorizmit në Shqipëri dhe në botë.

Ai bëri gjithçka që në këto vite në Shqipëri të ktheje de fakto monizmi. Ju jeni dëshmitarë që sot Edi Rama kontrollon 10 % më shumë pushtet se sa kontrollonte Ramiz Alia në vitin ’91. Kjo përballje e suksesshme. Kjo lëvizje që tronditi Shqipërinë dhe u shndërrua në dritën e tunelit të zi në të cilin ishin zhytur shqiptarë që rrezatojnë në arenën ndërkombëtare është pas vitit 1991, lëvizja e dytë më e rëndësishme historike. Ju jeni dëshmitarë të përpjekjeve djallëzore të narko-qeverisë dhe aleatëve të saj, ta pengojnë me çdo kusht këtë lëvizje. Të shkurajojnë demokratët, me deklarata absurde, me qëllime anti-demokratike, por që të gjitha dështuan. Çfarë nuk iu diktua këtë javë peng Bashës në deklaratat e tij të pafundme absurde. Foltorja kaloi nga suksesi në sukses. Kaloi si dritë shprese nga shpirti në shpirt.

Kaloi si burim entuziazmi nga zemrat në zemrat e shqiptarëve. Kush e mendonte këtë dy muaj më parë? Unë që po flas këtu? Kot pa lidhje janë. Pse kjo lëvizje u shndërrua në magnet të fuqishëm të rinisë shqiptare. Pse vajzat dhe gratë u shndërruan në mbështetës kryesor të saj. Çfarë ndodhi? Kjo vjen nga fakti se që të gjithë këta dhe çdo ditë e më shumë shohin te foltorja burimin e shpresës. Shohin te foltorja shpërthimin e energjive, shohin te foltorja dritën drejt ngritjes dhe fitores. Nuk mund ta mohoj, se shohin te Sali Berisha një potencial të tillë që mund të bëjnë të harrohet Berisha i dytë në përpjekjen e tij për një rikthim të suksesshëm. Këto javë, kam pasur fatin e madh së bashku me bashkëpunëtorët e mi të takohem e bisedoj me dhjetëra mijëra demokratë e demokrate. Kam konstatuar, vendosmërinë e tyre për t’u ringritur. Besimin e tyre se liria e vota e lirë janë themeli i rindërtimit të PD, se bashkimi i demokratëve nga dita e themelimi i saj. Ftesa ime për bashkim është e sinqertë. Siç e keni ndjekur vetë, në foltore nuk kanë qenë vetëm themeluesit, por të gjithë ata që e ndryshuan Shqipërinë. Shqipëria tjetër është ajo që qeveriset me logon e PD. Shqipëria e integruar, në NATO, është vepër e tyre. Më pozitivja është përqafimi që i ka bërë rinia kësaj lëvizje. Delegatët e Kuvendit Kombëtar firmosën masivisht formularin për të thirrur në ditën e themelimit të Partisë Demokratike të Kuvendit. Kuvendi që do të bëjë Shqipërinë me opozitën më fitimtare që ka pasur Shqipëria ndonjëherë. Këtu kemi sjellë 4200 formularë të delegatëve nga 1800 që është detyrimi statutor për thirrjen e tij. Këtu përpara kemi një shumicë të Shqipërisë. Mos llogarisni shumicën me votën e vjedhur atje. Grupi Përfaqësues i firmëtarëve ka vendosur që këto formularë historikë të rithemelimit të pluralizmit  t’i depozitojë në selinë e Partisë Demokratike tek Edi Paloka. Pse kjo përzgjedhje? Në forumet e PD-së për dramën e kësaj partie i vetmi forum brenda saj i konstituar është Këshili Kombëtar. Peng-kryetari nuk ka mbledhur akoma kryesinë sepse ka frikë nga firmat. Për këto arsye depozitohen pranë kryetarit të Këshillit Kombëtar. Me garancinë e plotë se do të ruhet privatësia e të dhënave personale. Kanë firmosur 4200, qindra të tjerë janë duke firmosur, rreth 1200 janë në emigracion. Cili do të jetë qëndrimi ndaj atyre që nuk duan të firmosin? Ata janë të mirëpritur në Kuvendin e PD-së”- tha Berisha.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb