Mbretëresha e modës vegane e Hollivudit, Natalie Portman në një intervistë për ”The Hollywood Reporter” foli për mënyrën se si ajo i koncepton ndryshimet klimatike në shtëpinë e saj dhe hapat që ajo ndërmerr për të jetuar një jetë sa më të gjelbër të mundshme, shkruan people.com.

“Ne flasim shumë për ndryshimet klimatike në familjen tonë për sa i përket mënyrës se si jetojmë, çfarë zgjedhim të bëjmë,” theksoi ajo.

Një pjesë e asaj që ajo zgjedh të bëjë është të shmangë pëlhurat dhe tekstilet me prejardhje kafshësh dhe të bëjë çdo përpjekje për të blerë vetëm dizajne vintage (antike).

“Unë nuk kam blerë apo përdorur produkte lëkure, gëzofi apo kafshësh prej 20 vjetësh”, shtoi ajo.

Portman ka qenë vegjetariane që kur ishte 9 vjeç dhe u bë vegane më shumë se një dekadë më parë në vitin 2011 pasi lexoi librin ”Eating Animals” të Jonathan Safran Foer.

Që atëherë, ajo ka sfiluar rregullisht në tapetin e kuq me dizajne vintage, modele vegane dhe pjesë të porositura nga stilistë që punojnë me stilin e saj të jetesës së ndërgjegjshme për mjedisin.

“Veganizmi im është kryesisht një zgjedhje mjedisore, së bashku me mirëqenien e kafshëve”, shtoi Portman.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb