TIRANË

Kreu i PD-së Lulzim Basha tha sot në “Real Story” në News24 se mbrëmjen e 10 nëntorit në selinë e PD-së është futur një kasafortë në zyrën e kryetarit të Këshillit Kombëtar. Ai tha në “Real Story” në News24 se më parë kishte qenë vetëm një kasafortë në zyrën e financës, duke e cilësuar këtë dhe të gjitha veprimet e bëra nga Berisha manovra për të mos pasur një Kuvend Kombëtar.

Lubonja: Ju vetë keni thënë që kjo mbështetje që i dhanë amerikanët Edi Ramës vjen nga fakti se ne nuk e kemi pastruar partinë nga Sali Berisha.

Basha: S’mund të më vendosni në gojë fjalë që nuk i kam thënë. Perifrazimi dhe konteksti është gabim.

Lubonja: Teza që mbretëron në PD-në tuaj, tani që hoqëm Sali Berishën tani kemi mbështetjen amerikane. Unë them që është një tezë e gabuar sepse unë them që mbështetja amerikane është për qeverinë, ju jeni mbështetur që të rrini si opozitë e urtë. Një nga arsyet kryesore është se rivali juaj ka qenë më suksesshëm për PR, për të nxjerrë ato që ju keni bërë në krahasim me ju. Këtu është problemi. Ai shkatërron opozitën dhe ngel dhe më i fuqishëm. Lidhur me dy kuvendet, ju keni një problem sot se Sali Berisha po shkon tek njerëzit e PD, ju po dalin disa deputetë me Yuri Kim në fotografi dhe këtu sado të jetë Yuri Kim me ju, po nuk qenë demokratët është problem. Legjitimiteti i një lideri fitohet me dy forma. Ju ka lindur një konflikt dhe duhet ta zgjidhni me mënyrën më të mirë. Duhet të kishit gjetur mënyrën që me 3 kandidatë tuajit e 3 andej, të shkonit t’i kontrollonit ato 4200 dhe pastaj në qoftë se shumica edhe pse ju mund të jeni më i mirë se Sali Berisha, do Sali Berishën duhet t’i thuash merre partinë, e gëzofsh se kjo është demokraci.

Basha: Ka manovra nga dikush që nuk do një Kuvend Kombëtar të PD-së siç bëhen kuvendet Kombëtare të PD-së. Prej datës 8, 9, 10 sekretariati  i PD-së ka pritur të dorëzohen ato kërkesa për mbledhjen e Kuvendit sipas statutit. Një nga protagonistët është shprehur se do dorëzohen deri më datë 10. Deri në orën 4 ka rënë heshtja e varrit, në orën 4 është njoftuar se do ketë një konferencë të veçantë për shtyp të zotit Berisha. Në konferencë është thënë se këto dosje nuk do shkojnë sipas statutit, nuk do ndjekim ato rregulla ka thënë Berisha sepse nuk duhet të dalë identiteti i firmëtarëve sepse do i godasë qeveria, do i kërcënojë pengu, por do i fusim në kasafortë. Në dijeninë time në PD kishte vetëm një kasafortë dhe kjo ishte në zyrën e financave, aty ku mbahet për arsye të kuptueshme. Papritur atë natë është futur një kasafortë në zyrën e kryetarit të këshillit dhe janë mbyllur në kasafortë. Kushtetuta e partisë nuk është një copë letër, por mënyra si demokratët kanalizojnë vullnetin e tyre. Ka mekanizma partia se si e zgjidh mosbesimin. Manovra, tre ti e tre unë që s’ka asnjë bazë, statuti parashikon zgjidhje për situata të jashtëzakonshme. Nëse zoti Berisha është i interesuar për një Kuvend, urdhëro ja ku e ka më datë 18.

Më 10 nëntor i ka futur në kasafortë ato që pretendon se janë vullnet demokratësh. I kemi thënë sille të mbledhim Kuvendin, tha nuk i sjellim se kërcënohen nga ju. Më 15 nëntor është mbledhur Kryesia dhe ka vendosur me shumicë absolute, duke supozuar se nga ata 4200, 5 ishin demokratë ka thirrur Kuvendin më 18 dhjetor. PD është një familje që mbahet bashkë për shkak të rregullave që mbrojnë lirinë dhe barazinë e anëtarëve. Unë si kryetar kam përgjegjësinë, por nuk jam mbi asnjë anëtar të PD-së. Prandaj është statuti, manovrat janë bërë që të mos kishte kuvend, apo të kishte një mbledhje të diktuar sipas rregullave dhe qejfeve të një personi. Kuvendi është më 18 dhjetor të gjithë janë të ftuar, pse nuk i bashkohen një Kuvendi të tillë, por insistojnë në një gjuhë linçuese, denigruese?

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: