Gjeorgjia nuk fal, kombëtarja e njohur e cila shkëlqeu në Europian, ia doli të marrë 3 pikë ndaj Çekisë, në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve. Një sukses 4-1 në Tbilisi, në një sfidë spektakolare.
Në fraksionin e parë, miqtë dominuan në mbajtjen e topit, duke krijuar disa raste për shënim.
Pas gjysmë ore lojë, Krejçi shkaktoi penallti, në përpjekje për të larguar topin nga zona. Nga pika e bardhë e 11-metërshit, nuk mund të gabonte Kvara. Ylli gjeorgjian i vendasve dërgoi topin pas shpinës së Matej Kovar, i cili edhe pse kuptoi krahun, nuk mund të bënte dot asgjë.
Në pjesën e dytë, ekipi i Hasek shtoi ndjeshëm presionin, duke u vendosur në kërkim të golit. Në krahun tjetër, Gjeorgjia u tregua e rrezikshme, sidomos me anë të kundërsulmeve.
Një zbritje e shpejtë solli edhe golin e dytë në minutën e 53-të, që mban firmën e Chakvetadze, i shërbyer nga Kvara. Në minutën e 63-të, Mikatadze, me një lëvizje të bukur thelloi shifrat. Spektakli i Gjeorgjisë nuk kishte mbaruar ende, pasi edhe Kochorashvili vendosi emrat në listën e golashënuesve.
Goli i nderit për Çekinë erdhi nga Kalvach, në minutën e 80-të.
Në ndeshjen e radhës të Ligës B, pas pak ditësh, kundërshtari i Gjeorgjisë do të jetë Shqipëria e Sylvinhos, në sfidën që do të mbahet në vendin tonë. Në krahun tjetër, Çekia mat forcat me Ukrainën.
(J.S/BalkanWeb)