Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se të gjithë aleatët e NATO-s janë të shqetësuar për praninë e rritur ruse në Libi.

Duke folur në Forumin e Brukselit të organizuar nga Fondi Gjerman Marshall, kreu i NATO-s tha se megjithëse ka dallime midis aleatëve të NATO-s për situatën në Libi, ata të gjithë pranojnë shqetësimin e tyre për praninë e Rusisë.

“Ne duhet ta monitorojmë dhe ta ndjekim shumë nga afër këtë, si dhe të shkëmbejmë intelegjencën dhe informacione për praninë e rritur ruse”, tha Stoltenberg.

Muajin e kaluar, SHBA tha se Rusia ka dërguar aeroplanë luftarak në Libi, por Kremlini mohoi një gjë të tillë.

Stoltenberg po ashtu u pyet për tensionin e fundit midis Turqisë dhe Francës në Mesdhe.

Javën e kaluar Franca pretendoi se Turqia ngacmoi një nga anijet e saj duke marrë pjesë në një mision të NATO-s në Mesdhe. Zyrtarët ushtarakë turq mohuan akuzat duke i quajtur ato tërësisht të pavërteta.

Stoltenberg tha se zyrtarët e NATO-s po vështrojnë incidentin, duke shtuar se, “Ata dy aleatë të NATO-s kanë qëndrime totalisht të ndryshme mbi atë që ndodhi në të vërtetë”.

Por, shtoi ai, të gjithë pajtohen se “ne duhet të mbështesim përpjekjet e OKB-së për të gjetur një zgjidhje të negociuar politikisht për konfliktin në Libi”.

Ankaraja dhe Parisi kohëve të fundit kanë qenë në mosmarrëveshje për shkak të politikave të tyre konfliktuale në Libinë e shkatërruar nga lufta civile që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011.

Përderisa Turqia mbështet qeverinë legjitime të Libisë, të njohur po ashtu nga OKB-ja, zyrtarët turq akuzojnë Francën për thellimin e konfliktit duke mbështetur komandantin luftarak, Khalifa Haftar.

Qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Libisë ka qenë nën sulm nga forcat e Haftar-it që nga prilli i vitit 2019, si pasojë e të cilës jetën e kanë humbur mbi 1 mijë persona.

Në muajin mars, qeveria libiane nisi operacionin “Stuhia e Paqes” për të kundërshtuar sulmet mbi kryeqytetin Tripoli dhe kohëve të fundit rifitoi territore strategjike, duke përfshirë bazën ajrore Al-Watiya dhe qytetin strategjik Tarhuna.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb