BRUKSEL – BRUKSEL – Aleanca e Atlantikut të Veriut ka ftuar zyrtarisht Malin e Zi për anëtarësim në këtë organizate. Njoftimi u bë nga vetë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili përgëzoi qeverinë dhe popullin e Malit të Zi, ndërsa theksoi se kjo është një ditë e mirë për Ballkanin perëndimor.

“Ne e përgëzojmë qeverinë dhe popullin për këtë arritje, kjo është një ditë shumë e mirë për Malin e Zi, një ditë e mirë për Ballkanin Perëndimor dhe tërë aleancën,” – tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, në takimin e ministrave të jashtëm të aleancës, në Bruksel.

Ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Igor Luksiç e quajti ftesën për në NATO një moment historik për vendin e tij.

Ky është zgjerimi i pare i NATO-s, pas gjashtë vitesh, kohë kur u anëtarësua Shqipëria dhe Kroacia. Ndërsa qeveria e Milo Gjukanoviç e sheh aderimin në NATO si një prioritet strategjik, malazezët mbeten të ndarë rreth anëtarësimit, kjo për shkak të bombardimeve të aleancës në Serbi.

Opozita pro-serbe dhe organizatat anti-NATO-s u bënë thirrje autoriteteve të hënën për të mbajtur një referendum mbi anëtarësimin. Rusia e ka cilësuar si një provokim zgjerimin e NATO-s në Ballkan.

Sipas Moskës zyrtare, një ftesë anëtarësimi për Malin e Zi do të jetë një tjetër goditje për sigurinë dhe marrëdhëniet mes Rusisë dhe NATO-s.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: