Greqia mbetet e prerë në qëndrimin e saj ndaj Turqisë dhe kërkesës së ndërkombëtarëve për dialog.

Athina Zyrtare kërkon që anijet turke të hiqen nga territori i saj, dhe në atë moment fillojnë negociatat për zgjidhje.

Më shumë e angazhuar në këtë situatë duket NATO, madje Stoltenberg në një deklaratë të tij konfirmoi se Turqia dhe Greqia kishin rënë dakord për t’u ulur në tryezë për dialog. Nga Ankaraja s’ka kushte, por Athina kërkon të largohen anijet turke, që nxitën dhe tensionet në Mesdheun Lindor.

“Ne nuk e kemi studiuar dokumentin dhe për këtë arsye nuk mund të flas me ju për pakënaqësi ose kënaqësi. Por ajo që dua të përsëris është ajo që përmbahet në njoftimet e djeshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme, domethënë që Greqia nuk po negocion me Turqinë Greqia e ka bërë të qartë se negociatat me Turqinë mund të ndodhin sa më shpejt që anijet turke të largohen nga territori grek. Por jo për sa kohë që anijet turke qëndrojnë atje,”- tha ministri i jashtëm Nikos Dendias.

Por ndërkohë kryeministri grek Mitsotakis ka dërguar një letër në OKB, ku informon për sjelljen e Turqisë ndaj shtetit grek.

(BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb