BRUKSEL- Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s kanë miratuar një plan për të forcuar praninë e aleancës më të fuqishme ushtarake të botës në lindje të Evropës, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i saj, Jens Stoltenberg, në një lëvizje për parandaluar sulmet nga vende të tilla si Rusia.

Marrëdhëniet mes NATO-s dhe Rusisë në dy vitet e fundit kanë arritur nivelin e tyre më të ulët që nga periudha e Luftës së Ftohtë, pas veprimeve të Moskës në Ukrainë, ku ajo akuzohet për mbështetje të separatistëve prorusë dhe aneksimin e Gadishullit të Krimesë. Aleanca ushtarake ka marrë masa për të siguruar anëtarët e saj në kufijtë lindorë, të cilët ndihen të kërcënuar nga Rusia. Plani i ri ka për qëllim ta çojë më përpara këtë siguri, me një kombinim të trupave tokësore dhe shtimin e dislokimeve për parandalimin e çdo agresori të mundshëm. “Ne duam krijimin e një pranie shumëkombëshe me trupa, që do të dërgojë një sinjal shumë të fortë të unitetit të NATO-s”, theksoi Stoltenberg.

“Një sulm kundër një aleati është një sulm kundër të gjithë aleatëve. Ne do t’i përgjigjemi njëzëri çdo akti agresioni”, shtoi ai. Detajet e këtij plani – përfshirë numrin e trupave – do të përpilohen nga ushtarakët gjatë muajve të ardhshëm, në prag të samitit të NATO-s në Varshavë, në korrik. “Kjo iniciativë nënkupton disa mijëra trupa të dislokuar mbi baza rotacioni në vende si Polonia dhe shtetet balltike”, tha një burim i NATO-s, i cili nuk pranoi të identifikohej.

Sidoqoftë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov e akuzoi NATO-n për përhapjen e frikës ndaj një kërcënimi rus për të justifikuar ekzistencën e saj dhe për t’u zgjeruar drejt Lindjes.
“NATO-ja duhet të qëndrojë brenda kufijve të saj. Veprimet e NATO-s po krijojnë një faktor destabilizimi për sigurinë globale”, deklaroi Lavrov, i cituar nga agjencia zyrtare ruse e lajmeve, TASS.

Lavrov kritikoi ashpër edhe ftesë që aleanca i bëri Malit të Zi për anëtarësim. Vendimi i sotëm i NATO-s vjen pasi presidenti amerikan, Barack Obama njoftoi javën e kaluar se do të kërkojë një rritje të ndjeshme të fondeve të Uashingtonit për sigurinë e Evropës, që shkojnë deri në 3.4 miliardë dollarë. “Këto para’ do të përdoren, veç të tjerash, edhe për praninë e 3 000 trupave amerikane në Evropë si edhe për dislokimin e pajisjeve ushtarake dhe armatimeve në rast emergjence”, deklaroi një zyrtar amerikan në kushte anonimati.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: