NATO ka filluar tërheqjen e trupave nga Afganistani, konfirmuan zyrtarët.

“Aleatët e NATO-s vendosën në mes të prillit të fillojnë tërheqjen e forcave të Misionit të Mbështetjes së Vendosur deri më 1 maj dhe kjo tërheqje ka filluar”, tha një zyrtar i NATO-s  në kushte anonimiteti.

Zyrtari nënvizoi se tërheqja do të jetë “një proces i rregullt, i koordinuar dhe i qëllimshëm” siç është rënë dakord nga aleatët.

“Ne planifikojmë të përfundojmë tërheqjen tonë brenda pak muajsh”, shtoi ai.

Zyrtari nuk pranoi të jepte ndonjë detaj në lidhje me numrin e trupave dhe afatet kohore për vendet individualisht gjatë procesit të tërheqjes.

“Siguria e trupave tona do të jetë një përparësi kryesore në çdo hap të rrugës dhe ne jemi duke marrë të gjitha masat e nevojshme për ta ruajtur personelin tonë nga dëmtimi”, tha ai.

“Çdo sulm i talibanëve gjatë tërheqjes do të përballet me përgjigje të fuqishme”, shtoi ai.

Presidenti amerikan Joe Biden njoftoi në fillim të këtij muaji se SHBA-ja do të tërheqë të gjitha forcat e saj deri më 11 shtator, 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit që nxitën operacionin ushtarak amerikan.

Vendosja e trupave të huaja filloi në Afganistan më 7 tetor 2001, kur SHBA-ja së bashku me Mbretërinë e Bashkuar filluan operacionin “Liria e Qëndrueshme”. Atyre iu bashkuan rreth 43 aleatë dhe partnerë të NATO-s pasi OKB-ja autorizoi Forcën e Asistencës Ndërkombëtare të Sigurisë më 20 dhjetor 2001.

Aktualisht, në Afganistan të vendosura janë gjithsej 9.592 trupa nga 36 vende. SHBA-ja kryeson listën me 2.500 ushtarë.

Administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump kishte rënë dakord të tërhiqte të gjitha forcat amerikane deri në maj pasi arriti një marrëveshje paqeje me talibanët nën të cilën grupi do të ndalonte sulmet ndaj trupave ndërkombëtare dhe do të angazhohej për negociata paqeje me qeverinë afgane.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb