BRUKSEL – Testimi nga Koreja e Veriut i një bombe me hidrogjen cënon sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, theksoi sot sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Dënoj zhvillimin e vazhdueshëm të armëve bërthamore dhe programeve të raketave balistike nga Koreja e Veriut si dhe retorikën kërcënuese”, deklaroi Stoltenberg në një komunikatë.

Koreja e Veriut konfirmoi sot se kishte realizuar me sukses testimin e bombës me hidrogjen, shumë më e fuqishme se bomba bërthamore e zakonshme duke shfaqur vendosmërinë e këtij shtetit për të avancuar programin bërthamor.

“Testimi i armës bërthamore njoftuar nga Koreja e Veriut cënon sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare dhe përmbën një shkelje të hapur të rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, theksoi Stoltenberg.

“I kërkoj Koresë së Veriut të respektojë detyrimet dhe angazhimet ndërkombëtare. Koreja e Veriut duhet të braktisë plotësisht armët bërthamore dhe programet ekzistuese të raketave bërthamore dhe balistike dhe të angazhohet në bisedime të besueshme dhe autentike për denuklearizimin”, shtoi ai.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: