Kritiku i burgosur i Kremlinit, Alexei Navalny, iu ka bërë thirrje rusëve që të organizojnë protesta masive kundër pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Thirrja për protesta është bërë nga zëdhënësja e Navalnyt, mëngjesin e sotëm, teksa lufta ka hyrë në ditën e shtatë.

“Alexei Navalny ka bërë thirrje që njerëzit të dalin e të protestojnë kundër luftës, çdo ditë, në orën 19:00, dhe në fundjavë në orën 14:00. Në sheshet kryesore të qyteteve tuaja, kudo që të jeni”, shkroi zëdhënësja e Navalnyt, Kira Yarmysh.

Lëvizja e kritikut të ashpër të Vladimir Putinit vjen pas thirrjeve të tij të mëparshme për mosbindje civile kundër pushtimit rus të fqinjit të saj.

Navalny, kundërshtari më i madh u Presidentit Putin, u burgos vitin e kaluar, pasi u kthye në Rusi nga Gjermania, pas shërimit të tij, ku laboratorët perëndimore konstatuan se rusët kishin tentuar ta helmonin me një agjent nervor në Siberi. Rusia, nga ana e saj, mohoi kryerjen e një sulmi të tillë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb