Analisti Shpëtim Nazarko komentoi në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, në News24, dorëheqjen e Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm, pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i Forcave Shqiponja.

Ndërsa u shpreh se Ministria e Brendshme është një mallkim për vendet e varfra, Nazarko theksoi se ata që e kanë drejtuar këtë dikaster e kanë kuptuar se gjithçka vjen nga aty.

“Ata që kanë drejtuar Shqipërinë e kanë kuptuar se gjithçka vjen nga Ministria e Brendshme. Kemi së pari Ahmet Zogun, që grumbulloi tërë atë pushtet, dhe pastaj rasti tipik i 44-ës, kur në Ministrinë e Brendshme vajti Koci Xoxe. Që nga 44 e deri më 85, kur vdiq Enver Hoxha, pothuajse gjithë Ministria e Brendshme ka qenë në dorë të zonës së Vlorës. Lidhur me dorëheqjen e Lleshajt, unë shoh një shembull të karakterit gjermanik. Ministrit gjerman i ndodhi një gjë si Lleshajt dhe të nesërmen dha dorëheqjen, madje u largua njëherë e mirë nga politika. Por ata janë gjermanë, kurse ne jemi shqiptarë. Unë besoj që Ministria e Brendshme është mallkim për vendet e varfra. Shumica e pasojave që vijnë në këtë ministri kanë lidhje të brendshme me pushtetin qendror, që në fund fare lidhen me votat. Për këtë arsye, edhe për shumë kohë ministri i Brendshëm do të ngelet kyc për ne. Por ne nuk kemi vënë re një gjë, ky vend ka probleme me krimin ndërkombëtar”, u shpreh Nazarko.

Nga ana tjetër, i ftuar në studio, zëvendëskryetari i LSI, Luan Rama, tha se e gjithë kjo që po ndodh ka nevojë për qetësi dhe maturi.

“Dorëheqja e ministrit lidhet me respektin dhe impaktin që krijon puna e tij në raport me qytetarin. Nga kjo pikëpamje, unë meqenëse jam një nga ata ministra që kam ikur me dorëheqje, jam nisur nga ky fakt. E gjithë kjo që po ndodh ka nevojë për maturi dhe qetësi në vlerësimin e situatës. Ka nevojë për burra të mençur. Unë i respektoj shumë kolegët e mi dhe nuk shkon të komentojmë një gjë që është mbyllur tashmë, pasi ai ka ikur dhe kemi një ministër të ri, që merr përsipër riskun”, u shpreh Luan Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb