Analisti Mentor Nazarko i ftuar në rubrikën ‘’Opinion’’ në News24 e ka cilësuar hapin e opozitës për të depozituar në Këshillin Politik draftin për ndryshimet në Kodin Zgjedhor si të duhur, por të vonuar.

Ai thotë se ODIHR do kohën e vet për të gjykuar draftet e mazhorancës dhe opozitës, por nuk ndërhyn në sherrin mes të dyjave.

Nazarko thekson se të dyja draftet, si ai i mazhorancës dhe i opozitës janë legjitime, dhe beson se do të jenë ndërkombëtarët që do investohen për të arritur një marrëveshje mes të dyjave dhe një zgjidhje.

Nga mazhoranca analisti kërkon që ta dëgjojë këtë draft sapo ardhur në Këshillin Politik, kurse për Opozitën thotë se duhet të jetë më e sigurt në fitore se sa të varet nga këto ndryshime.

PYETJA: Mbërritën propozimet nga ana e Opozitës. Me draftin e amendamenteve të PS, i bënin thirrje dhe Opozitës. Çfarë hapi ishte ky, që u përshëndet dhe nga ambasadorja?

NAZARKO: Hap në drejtimin e duhur. Duhej hedhur dhe më parë. Ishte i drejtë qëndrimi i mëparshëm i opozitës, sipas të cilit meqënëse ndryshimet kushtetuese e kishin origjinën nga shumica, si pasojë edhe ndryshimet  në Kod duhet të vinin nga shumica. Por po flasim për kohën. A ka opozita një skemë që nëpërmjet ftesës së ODIHR për të analizuar draftin e shumicës, të humbet kohë, dhe më pas të votohet me sistemin e vjetër elektoral? Propozimi i opozitës sot është legjitim, por do duhej të vinte më parë. ODIHR do kohën e vet për të dhënë gjykim, cili prej varianeteve është me standardet ndërkombëtare, pra kjo është pikëpyetja ime- a po bën opozita lojë për të fituar kohë.

Ndaj s’jam për një qëndrim aprioristik se modeli i saj është demokratik, më shumë se sa i qeverisë. Që të dy propozimet reflektojnë modele të caktuara. Varianti i qeverisë përfaqëson një model austriak apo kroat, kurse opozita sharton pajtimin e një status-quo në prezantimin e koalicioneve me hapjen e listave. Pikëpyetja është që mos është manovër për të fituar kohë duke ftuar ODIHR?  ODIHR s’mund të mbajë qëndrim për diçka që është në vullnet të plotë të partive politike, në diskrecionin e tyre, nëse respektohen standartet. ODIHR nuk ndërhyn në sherre vendore.

PYETJA: A duhet të lëshojë pe mazhoranca?

NAZARKO: Sigurisht. Jemi në nevojën që mazhoranca të reflektojë. Mazhoranca duhet të dëgjojë. Por tek analiza e qëllimeve, nuk jam i bindur se ka një prapavijë në këtë ndryshim të opozitës që nënkupton thirrjen e ODIHR si arbitër.

Po, e kuptoj se Parlamenti nuk është arbitri. Jemi realist që parlamentin e kontrollon shumica. Është në ndikimin total të shumicës. Por ama kjo nuk është për t’u marrë si absolute. Ata individë aty, që janë bërë hasha nga partitë e origjinës, sot kanë aftësinë negociale maksimale. Vlejnë më shumë se kurrë. Vota e tyre mund të shitet qoftë përkundrejt mazhorancës apo opozitës. De jure ata janë pjesë e parlamentit. Ndërkohë jemi në situatë anomale kur kemi Këshillin Politik dhe Parlamentin. Megjithatë vendimet duhen me konsensus, sepse nevoja urgjente për konsensus për të çelur negociatat- sot me këtë qeveri të PS-së, apo  menjëherë nesër me një qeveri të PD-së  është interes kombëtar. Ndërkohë nuk ka dyshim, se gjendemi  në një paradigëm të konsoliduar sipas të cilës partitë që janë në pushtet prej 1 apo 2 mandatesh, duan që me anë të forcës së kartonit të imponojnë ato ndryshime që ia rrisin avantazhet legale. Ndaj PS po bën atë që Bylykbashi e ka quajtur ndryshim të rregullave të lojës ndërsa loja është duke u luajtur. Megjithatë opozita duhet të tregojë besim tek fitorja, pavarësisht sistemit zgjedhor, pavarësisht ndryshimit të nuancave të tij,. Sepse nëse thotë që po nuk u hapën listat siç i duam ne, atëhere demokracia do marrë fund, se do ketë manipulime-  ky është disfatizëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb