Analisti Mentor Nazarko i ftuar në “News24” foli për situatën politike në Maqedoninë e Veriut, duke u ndalur edhe tek takimet në Beograd në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur”.

Teksa komentoi zgjedhjet vendore të mbajtura në Maqedoni dhe deklaratën e Zaev për të dhënë dorëheqjen nga posti i kryeministrit, Nazarko shprehet se e sheh aktin e tij si një presion ndaj perëndimit dhe sipas tij e gjitha kjo nuk jep mesazh se Zaev do të zhduket nga skena politike.

“Ajo që po ndodh nuk do të thotë se Zaev u zhduk nga skena politike siç mund të imagjinohet, mendojnë që është një akt si shenjë presioni ndaj perëndimit . Mungesa e unitetit në politikën e jashtme europiane është një dukuri që vazhdon dhe në rastin e Maqedonisë u shfaq në mënyrë më dramatike.

Ndërsa ne na interesonte që Bullgaria të mos ushtronte një bllokadë pikërisht tani dhe të mos kishim një precedent të bllokimit për arsye të brendshme. Nëse e shohim në marrëdhënie Bullgare-Maqedonase mendoj që Bullgaria ka të drejtë.  Ndërsa SHBA mesa duket po vuan ende tranzicionin mes dy administratave. Theksoj se Amerika po e rifiton rolin ndikues në Ballkan edhe për shkak se perëndimi , NATO përplasen me Rusinë , pra priten zhvillime të reja. BE i ka lënë marrëdhëniet në këtë pikë sepse vetë fuqitë e mëdha janë të përfshira. Thuhet se brenda dhjetorit kandidatura e Shqipërisë dhe Maqedonisë do të rishikohet…”, tha Nazarko.

Gjithashtu ai u shpreh se pritet një riaktivizim i rolit amerikan në Ballkan.

“Në rastin e Maqedonisë pres që Zaev të rikthehet dhe të riformatojë partinë. Të ri formatohet qeveria dhe ky është zhvillimi që unë pres dhe nëse i bashkëngjis çeljen  e negociatave Maqedonia merr një lloj drejtimi. Valëvitja e termit bota serbe ka karakter propagandistik por edhe ekonomik. Besoj që SHBA-të do të rikthehen fuqishëm edhe në këtë pjesë, ndërsa Rusia tenton që të provokojë perëndimin në pika delikate. Në rastin e Maqedonisë, ky  është një vend ku pritet të kalojnë korridoret më të rëndësishme të infrastrukturës botërore dhe nuk besoj se do të ketë fuqizim të ndikimit rus”, tha më tej analisti.

I ndalur tek tensionet në veri të Kosovës, Nazarko tha se nuk duhen prishur raportet me perëndimi, ndërsa shtoi se Kosova duhet të sinkronizojë aksionin me perëndimin.

“Kosova duhet të sinkronizojë aksionin e vet policor me perëndimin kur është puna për veriun e Kosovës dhe duhet kuptuar që objektivat mund ti arrish edhe nëpërmjet politikës së dialogut. Kam kuptuar që interesat e shqiptarëve përparojnë me dy rrugë, që të ketë harmoni mes vete dhe nëpërmjet paqësimit të Ballkanit. Shqiptarët veç e veç janë një faktor i parëndësishëm”, u shpreh ai.

Më tej Nazarko komentoi takimet në Beograd  duke u shprehur se “Ballkani i Hapur” ka një mbështetje europiane dhe amerikane.

“Po sheh mbështetje në rritje amerikanë dhe europiane. Të njëjtat qëndrime ka edhe BE për tu përfshirë në iniciativë edhe  vendet e tjera në këtë nismë. Mospjesëmarrja e Zaev mund të sjellë në atë aktivitet një zëvendës kryeministër shqiptar. Mund të kemi dy shqiptarë përballë një serbi në Ballkanin e Hapur”, tha ndër të tjera Nazarko.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb