Festivali Mbarëkombëtar i zërave të rinj në emër të ‘muzës’ së parë vokale, Jorgjia Truja ka startuar. Këtë të martë është mbajtur konkursi i këngëtarëve amatorë nga 5-25 vjeç dhe nga data 2-4 Maj do të mbahet ai i këngëtarëve që studiojnë në shkollat e Universitetet Muzikore.

Kompozitori Vasil Tole, këngëtarja Eranda Libohova, si dhe drejtori artistik i Akademisë së Veronës në Itali, Paolo Fancinkani, janë juria e këtij edicioni që do të vlerësojnë konkurrentët.

Në konkursin e këngëtarëve amatorë, juria ka vlerësuar të gjithë konkurrentët me çmim të parë, të dytë dhe të tretë, duke ndarë çmimet mes vogëlushëve. Njëra prej fitueseve të çmimit të parë është edhe Nikol Azizaj, e cila edhe vitin e kaluar është vlerësuar me çmim. Pedagogia Alma Strazimiri, në rolin e mësueses së disa prej konkurrentëve pjesëmarrës, tregon se sa shumë i ndihmon ky konkurs këta fëmijë për të promovuar arritjet e tyre vokale.

“Koncerti i Finalistëve” ku do të marrin pjesë vetëm çmimet e para nga të gjitha kategoritë, do të zhvillohet më datë 25 Prill. Juria do përcaktojë arritjet e 3 këngëtarëve më të spikatur për t’i vlerësuar me çmime në emër të figurave që hodhën themelet e muzikës së lehtë vokale si Luçije Miloti, Pavlina Nika dhe Luan Zhegu, emra këta të cilët ndërrohen çdo vit për të njohur plejadën e artistëve nga të rinjtë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb