Ditën e hënë u ndanë çmimet Kombëtare të Letërsisë 2020. Fituesit u shpallën ndërmjet pesë kandidaturave për çdo kategori, që u përzgjodhën nga juria e kryesuar nga akademiku Mehmet Kraja dhe anëtarët; Ardian Ndreca, Elda Gjana, Ylljet Aliçka e Shezai Rrokaj.

Çmimi për veprën më të mirë eseistike studimore iu dha studiuesit Artan Fuga me veprën “Origjinat”, ndërsa për letërsinë më të mirë për fëmijë u vlerësua shkrimtarja Persida Asllani me botimin “Udhëtimi i Babagjyshit në qytetin e 1001 dritareve”.

Bardhyl Londo mori çmim për vëllimin më të mirë poetik, me “Prillin e hidhur”, ndërkohë që vlerësimi për prozë më të mirë iu dha romanit “Biri” të Flutura Açkës.

Po ashtu, përkthimin më të mirë këtë vit e fitoi përkthyesi Granit Zela me veprën “Lepur vrapo” të autorit John Updike. E veçanta e këtij edicioni ishte dhënia për herë të parë e çmimit honorifik “Muza” në nder të autorëve që kanë ndërruar jetë, dhe ky vlerësim shkoi për autorin Petrit Ruka pas vdekjes, me veprën e tij “Andej baltë këtej erë”.

Ministrja e Kulturës, Eva Margariti e cilësoi atë, një poet të dashurisë dhe jetës.
Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit, Alda Bardhyli, u shpreh se “çmimet kombëtare të letërsisë, janë një institucion për gjuhën shqipe”. Ajo iu përgjigj kritikave për nominimet e atyre që nuk jetojnë më, me rregulloren, e cila nuk përjashton askënd, mjaft që libri të jetë botuar për herë të parë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb