GJIROKASTËR- Është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare, aktori i njohur shqiptar, Aristotel Stefani, i njohur nga të gjithë me pseudonimin Teli dhe i identifikuar me emrin e një prej personazheve më të bukura të interpretuar prej tij, Doktor Adhamudhi. Aktori gjirokastrit, ndërroi jetë pas tre sulmeve në zemër, në banesën e tij, në lagjen “18 shtatori” në qytetin e tij të lindjes.
Aristotel Stefani, ka lindur në vitin 1930 në fshatin Lliar të Zagorisë në Gjirokastër. Fillimet e Telit si aktor i gjejmë që në moshë të re, në vitin 1945, kur ai aktivizohet me Trupën e Grupit Amator të Klubit Artistik të Kuçovës, qytet në të cilin ai punonte si mekanik në sektorin e naftës. Dëshira e tij për artin do të bëjë që ai pas disa vite pune si mekanik, të lërë punën në naftë dhe të marrë rrugën e aktrimit profesional.
Kështu ai është ndër të parët aktor të Estradës Profesioniste të Gjirokastrës e krijuar në vitin 1956. Në vitin 1966 emërohet Drejtor i Shtëpisë së Kulturës së Sarandës. Për nëntë vjet ai do të punojë në këtë shtëpi kulture jo vetëm si Drejtor, por edhe si regjisor i saj.
Të shumtë janë dhe rolet e tij në Teatër. Këtu mund të përmendim rolin e Doktor Adhamudhit në komedinë “Pas vdekjes” e Çajupit, një prej roleve që e bëri shumë të dashur për publikun; rolin e Profesor Selckës në dramën “Shqetësimet e Anës” etj.
Në kinematografi ka interpretuar në 14 role. Roli i tij i parë do të jetë roli i Abdurrahman Pinxhos në filmin “Njeriu me top” në vitin 1977, roli i Novruzit, rojes së Manastirit në filmin televiziv “Liri a vdekje” në vitin 1979, roli i njërit prej dasmorëve në filmin “Përrallë nga e kaluara”në vitin 1987. Në vitin 1998 Teli Stefani do të interpretojë edhe rolin e shërbëtorit, i cili do të jetë dhe roli i tij më i fundit, në filmin në filmin “Dasma e Sakos”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb