SHKODËR- Është ndarë nga jeta në moshen 94-vjeçare pinjolli i fundit i familjes së njohur të derës së Gjomarkajve që njihen ndër shekuj si Kapedanët e Mirditës, Dedë Gjonmarkaj. Ceremonitë e pritjes u zhvilluan në kullën e fisit të Gjonmarkajve, ku mes të afërmve dhe qindra qytetarëve, morën pjesë shumë personalitete të politikës shqiptare. Dedë Gjonmarkaj, konsiderohet si i fundit i këtij fisi me kontribut të lartë në mbrojtjen e zonës së Mirditës nga pushtimi turk, por edhe në pavarësinë e vendit.

Ai vdiq në Shkodër, atje ku jetonte i vetëm pa fëmijë, me të renë e vëllait të tij. Kalvari i vuajtjeve, burgosjes e internimeve në kohën e diktaturës janë cituar në një peticion të 16 studiuesve e historianëve, të cilët kërkuan që autoritet shtetërore të gjenin mënyrën për ta nderuar pinjollin e parafundit të brezit të vjetër të familjes princore të Mirditës.

Ndër firmëtarët e këtij peticioni janë mjaft figura të njohura, si Huana Kraja (Kurti), Jozef Radi, Romeo Gurakuqi, Kujtim Draçini, Agron Gjekmarkaj, Bep Çoba, Fatlum Nurja, Gjon Lekgjonaj, Halit Bilali, Gjergj Kola, Jozef Martini, Apollon Haxhi, Mark Gjeka, Bep Kolombi, Menita Ljarja, Apollon Haxhi.

“Sot vdiq Kapedan Deda i Gjonit të Markagjonit, përfaqësues i brezit të vjetër të familjes princore të Mirditës, djalë i një dere të madhe dhe i një dinjiteti të rrallë. Dedë Gjonmarkaj, djali i katërt i Kapedanit të Mirditës, Gjon Markagjoni, ka lindur në Orosh në vitin 1921, dhe mbasi kreu studimet, pësoi kalvarin e vuajtjeve më të mëdha të Parësisë Nacionaliste Shqiptare. U arrestua fillimisht në vitin 1946 dhe u gjykua 6 herë për vepra që nuk i kishte bërë kurrë. Kaloi 2 vite në hetuesitë e tmerrit të “çlirimtarëve të Enver Hoxhës” dhe vuajti 16 vjet burg në qelitë e burgjeve në Shkodrës, Tiranës, Gjirokastrës, Burrelit, Ballshit dhe Sarandës. U internua në Tepelenë, Kuç, Savër e Gjazë dhe, krahas 16 viteve burg, kreu edhe 30 vite internim me gjithë familjen Markagjoni”, thuhej në deklaratën në formën e nekrologjisë për kapedan Dedë Gjonmarkaj.

Më tej citohet se që prej vitit 1944 e deri në vitin 1990, Deda bashkë me krejt familjarët e tij panë vetëm burgje, internime, poshtërime dhe vdekje dhe se Dedë Markagjoni i rezistoi diktaturës sllavo¬-komuniste në mënyrën më të dinjitetshme të mundur, duke u bërë edhe simboli ideal i qëndresës së fisnikërisë shqiptare ndaj mizerjes proletare.

“Shqipëria zyrtare ka plot 70 vite që ose i ka shkatërruar familjarisht përmes burgosjeve, syrgjynosjeve dhe dezinformimit publik të propagandës deniguese ‘për trathti’, që ata nuk ia kanë bërë kurrë Shqipërisë, ose i kanë harruar në të ‘ashtuquajturën demokraci’ të kontrolluar nga pasuesit e Ramiz Alisë. Akuzues të tyre ishin dhe mbetën shitësit e Shqipërisë dhe Kosovës te Serbia e Rankoviçit dhe Titos, te Stalini dhe carizmi sovjetik. Për 20 vite tranzicion e kaos parademokratik nuk u bë asgjë për të rehabilituar realisht familjen princore të Mirditës. Shpresojmë se autoritetet shtetërore së paku sot do gjejnë mënyrën për ta nderuar pinjollin e parafundit të brezit të vjetër të familjes princore të Mirditës, si shenjë respekti e shtetit ndaj kësaj dere fisnike shqiptare, si shenjë e kërkimit falje e Shqipërisë zyrtare për krimet e diktaturës, në vigjilje të hapjes së dosjeve dhe procesit të lustracionit. Sot Shqipëria duhet të mbajë disa minuta heshtje për dinjitetin me të cilin kaloi kjo familje, me vuajtjet e burgjeve, internimeve e shpifjeve, e në veçanti për dinjitarin e paepun: Dedë Markagjoni… Pushofsh në paqe Axha Dedë!”, thuhej në peticionin e studiuesve, të cilët kërkojnë nderimin e pinjollit të Kapedanit të Mirditës.

 

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: