Ndërron jetë në moshën 59 vjeçare, Kasem Hysenbelliu, presidenti i televizionit Fax News dhe ish-drejtues i grupit mediatik News24, BalkanWeb, Gazeta Shqiptare, Radio RASH dhe gazetës “Panorama”.

Biznesmeni i suksesshëm, Kasem Hysenbelliu u nda nga jeta mëngjesin e sotëm. Ai ishte duke marrë ndihmën e specializuar, prej disa ditëve, në spitalin “Medical Park Florya” në Stamboll. Pavarësisht përpjekjeve të jashtëzakonshme nga stafi i shkëlqyer mjeksor nuk arriti ta fitonte betejën e jetës.

Hysenbelliu themeloi dhe administroi televizionin ‘Fax News’ që nga tetori 2017, ndërsa për vite me radhë drejtoi me përkushtim e sukses, media të rëndësishme mediatike, si Gazeta Panorama, e për vite me radhë televizionin News24, BalkanWeb, Gazeta Shqiptare e Radio Shqiptare.

I martuar, baba i dy fëmijëve, Kasem Hysenbelliu do i mungojë familjes, por edhe të gjithëve që e njohën dhe punuan me të, si një njeri i qeshur, optimist, drejtues, koleg dhe bashkëpunëtor i shkëlqyer, që kontribuoi në ngritjen më cilësore të medias, nëpërmjet afrimit të njerëzve profesionistë dhe të përkushtuar.

Stafi i News24, BalkanWeb, Gazeta Shqiptare, e Radio Shqiptare shprehin ngushëllimet familjarëve, miqve e kolegëve për këtë humbje të parakohshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb