NGA ENIDA HIMAJ

Çifti më simpatik i showbizit shqiptar, këngëtarja Nora Istrefi dhe muzikanti Robert Berisha, duket se po kalojnë një krizë. Nga burime të sigurta dhe të afërta me çiftin bëhet me dije se dy të rinjtë janë duke qëndruar disa kohë larg njëri-tjetrit, kjo për shkak të konflikteve që kanë pasur javët e fundit. Më saktë në ditët e para të muajit qarkulloi lajmi për një ndarje të Norës dhe Robertit, duke thënë se ishte Roberti ai që e kishte tradhtuar këngëtaren seksi, çfarë kishte sjellë edhe ndarjen e tyre. Megjithatë Roberti ishte i pari që e përgënjeshtroi këtë lajm duke u shprehur se çifti vijonte bashkë.

Gjithnjë sipas këtyre burimeve, merret vesh se Nora ka marrë një banesë me qira ne lagjen “Dragodan” në Prishtinë dhe është duke banuar atje së bashku me vajzën e saj Renne. Edhe më të besueshme ndarjen e tyre e bënë pasi Nora nuk kishte uruar për ditëlindjen bashkëshortin e saj Robertin para disa dite në “Instagram” siç ndodh zakonisht, ndërsa për festën e “Shën Valentinit” Nora kishte publikuar një fotografi me një dhuratë të cilën nuk e kishte marrë nga Roberti, por nga një kompani e cila merret me organizime të eventeve.

Por Roberti fillon të postojë foto me Norën duke këmbëngulur se gjithçka është më së miri mes tyre. Madje ditën e djeshme ai ka postuar një foto nga aeroporti ku është duke udhëtuar për në SHBA, duke thënë se i mungonte bashkëshortja dhe vajza e tyre. Nga ana tjetër foto e fundit që Nora ka me Robertin është e para tetë javëve, duke shtuar edhe më shumë dyshimet se vendimin për këtë ndarje e ka marrë këngëtarja.

Burime pranë kësaj dysheje bëjnë të ditur se arsyeja e ndarjes është një modele bionde mjaft e famshme në Kosovë, që sipas zërave mendohet se ka pasur një flirt me Robertin, megjithatë një fakt i tillë nuk është konfirmuar ende, pasi Roberti vijon të shprehet se mes tij dhe këngëtares gjithçka është më së miri. Çifti është martuar në vitin 2014, pas në lidhje të gjatë, ndërsa u bënë prindër të vajzës Renne.

Kjo nuk është hera e parë që përflitet për ndarjen e dy të rinjve, madje edhe herët e tjera thashethemet janë shprehur se ka qenë Roberti ai që e ka tradhtuar Norën, por gjithçka ka rezultuar e pavërtetë, duke sjellë edhe njëherë çiftin të bashkuar në sytë e publikut. Mbetet për tu parë sesi do të shkojë historia këtë herë mes një prej çifteve më të përfolur në showbizz.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb