Java e 16-të e Kategorisë Superiore kulmon me klasiken shqiptare Tirana-Vllaznia. Në kampin shkodran janë gati për këtë përballje dhe kjo duket edhe nga fjalët e trajnerit Thomas Brdaric. Numri një i stoli shkodran e vlerëson shumë si ndeshje, duke e quajtur një nga sfidat më të rëndësishme, por nuk vendos gjithçka, pasi ende nuk është luajtur gjysma e sezonit.

“Çdo gjë ka vijuar mirë në këto ditë stërvitje, djemtë janë stërvitur me dëshirë dhe janë gati për ndeshjen e parë. Është një sfidë shumë e rëndësishme, pasi përballemi me skuadrën më të fortë, por ne do të hymë në fushë vetëm për 3 pikët.

Pavarësisht rëndësisë që ka ky takim, nuk është vendimtar për fatet e sezonit, pasi është vetëm java e 16 dhe janë edhe 20 ndeshje më pas. Synimi ynë është të luajmë mirë dhe nëse shoqërohet me 3 pikë, do të quhej 100% mision i realizuar” – theksoi trajneri.

Klasikja e futbollit shqiptar mes Tiranës dhe Vllaznisë do të luhet të shtunën në orën 19:45 në stadiumin “Air Albania”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb