Në këto ditë të fushatës globale “16 Ditët e Aktivizimit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore‘’ që organizohet  çdo vit në mbarë botën, duket se ndjeshmëria për shumë prej nesh, për çështje që kanë të bëjnë me gruan/vajzën, dhunën apo diskriminimin ndaj saj në forma të ndryshme, rritet edhe më tepër. Ndoshta kjo ndodh sepse vëmendja ndaj gruas/vajzës është më e madhe këtyre ditëve, ndoshta sepse aktivitetet që zhvillohen për të apo rreth saj janë më intensive, ndoshta sepse zëri i saj arrin ‘’ta shtojë volumin’’ edhe më fort për t’u dëgjuar më larg, më fuqishëm e ashtu siç i takon në fakt; jo i mekur, jo i frikur e pa klithma tmerri…

Cilado qoftë arsyeja, qoftë kjo edhe një përjetim personal imi, jam e lumtur që ndodh.

Është bukur që kjo fushatë zgjat disa ditë, nis në 25 nëntor e përfundon në 10 dhjetor, Ditën e të Drejtave të Njeriut por a është mjaftueshëm për të arritur qoftë edhe një pjesë të qëllimeve të saj? Sigurisht që jo. Do të ishte naivitet të mendojmë se për një afat të caktuar kohor mund të ndryshojmë shumëçka, të mendonim se nuk do të ketë më gra e vajza të dhunuara, të mos dëgjonim më lajme për gra e vajza të vrara e të abuzuara, se ‘’tjetri’’ do të kuptohet mirë një herë e përgjithmonë se kur themi “jo’’ do t’thotë ‘’jo’’, por gjithësesi është një lloj progresi. Çdo inisiativë, çdo lëvizje, çdo fjalë e shkruar për gruan/vajzën apo gjithçka tjetër bëhet për të, është një gurthemel për një të ardhme më të mirë, janë hapa të pa çuar dëm, ‘’tinguj’’ që diku do të dëgjohen.

Për gruan e vajzën duhet të flitet gjithmonë, të shkruhet për arritjet e saj, të shkruhet e madje të gdhenden të mirat që përfaqëson, të tregohet sa keqpërdoret emri ‘’grua’’, të bërtitet diskriminimi e mosrespektimi i të drejtave të saj , e kurrësesi  të mos lejohet dhuna.

Nuk është e vështirë të kuptosh se diskriminimi ekziston dhe jo vetëm në shkrime e studime. Jo të pakta janë gratë e vajzat që e kanë përjetuar këtë fenomen gjatë marrjes në punë në profesione të ndryshme, në pagesa, ngritje në detyrë e promovime të shumëllojshme etj.  Nuk po sjell shifra e statistika e nuk po dua as përmend as raste specifike; i ndjekim në edicione lajmesh e lexojmë aq shpesh në media të ndryshme saqë refuzoj tua rikujtoj edhe në këtë shkrim sensibilizues. Diskriminimi gjinor vazhdon të jetë një problematikë që ndeshet haptazi në zona rurale por gjithaq rëndom edhe në zona urbane. Mjafton vetëm të risjellim në vëmendje gratë e vajzat që punojnë në fasoneritë e shumta që operojnë në kryeqytet e më gjerë. Kushtet diskriminuese në të cilat ato punojnë jo pak herë janë bërë publike, por shumë pak ka ndryshuar. Shumë pak raste të diskriminimit gjinor janë raportuar dhe pak praktika gjyqësore duket se kanë bërë efekt.  Sipas Kodit të Punës diskriminimi me bazë gjinore, përkufizohet si diskriminim që ndikon tek një person për shkak të gjinisë.  Dhe është i pakundërshtueshëm fakti që ndikon kaq shumë sa një gjë e tillë ka ndryshuar edhe pjesëmarrjen e grave në tregun e punës.  Jo pak herë nga foseneri të ndryshme janë raportuar raste të abuzimeve nga më të ndryshmet, edhe seksuale. Disa prej tyre janë publikuar mediatikisht, disa janë zgjidhur e trajtuar ligjërisht, ndonjë edhe mund të jetë ndëshkuar por fenomeni nuk është zhdukur dhe nuk është aspak një fenomen i pazakontë. Për të gjitha këto duhet të flasim, të shkruajmë, duhet të reagojmë, të jemi solidare/ë me njëra-tjetrën, t’u tregojmë që mund të ketë një zgjidhje edhe pse shpresa mund t’u jetë shuar.  Një pjesë e tyre ose shumica syresh as nuk kanë guxim të raportojnë raste të diskriminimit për shumë arsye; nuk kanë informacion, nuk dinë ku e kujt t’i drejtohen, mendojnë se do të paragjykohen, mendojnë se mund t’i zgjidhin vetë problemet, nuk kanë mbështetje e përkrahje, janë të dhunuara e të abuzuara e frika është bashkëshoqëruese e tyre, pasiguria financiare, mentaliteti shoqëror e shumë e shumë arsye të tjera. Por asgjë nga këto, asnjë nga këto motive qofshin edhe të qënësishme nuk duhet ta ndalojë një grua apo një vajzë të raportojë keqtrajtimet e çdo lloj forme ndaj saj. Për këtë duhet të shërbejë edhe pjesa tjetër e shoqërisë, ne, çdokush që mund të kontribuojë në ndalimin e këtij fenomeni, e mund t’i vijë në ndihmë duke folur, duke biseduar, duke shkruar e informuar. Të mos heshtim kur dijmë me siguri se në ambiente pune e veçanërisht nëpër fasoneri (me shumicë të grave e vajzave) ka mungesë të sistemeve të ajrimit, shërbime të pakta shëndetësore, abuzime të përsëritura duke përfshirë edhe dhunë fizike, punë të rënda e kushte të papërshtatshme, pagesa të ulëta etj.

Të gjithë duhet të bashkëveprojnë. Është mirë kur ka reagime të përbashkëta nga institucionet dhe organizatat vendore dhe ndërkombëtare për këto probleme ekzistues në të gjithë botën në fakt, por këto janë vetëm probleme që u përkasin institucioneve. Janë edhe tonat, na prekin në mos në mënyrë të drejtpërdrejtë, në mënyrë indirekte. Janë probleme që ndikojnë jo vetëm tek gruaja/ vajza por ndikojnë fuqishëm tek bërthama e shoqërisë, familja; ndikojnë tek e gjithë shoqëria. Kësisoj duhet të vazhdojmë t’i themi stop dhunës në çdo kohë, në çdo formë e me të gjitha mënyrat. Ne duhet të zhvillojmë një kulturë që asesi nuk e pranon dhunën, një mendësi që e dënon fort dhunën ndaj gruas e diskriminimin gjinor. Të përpiqemi çdo ditë e më shumë ‘’të mbjellim’’ një kulturë gjithëpranuese, një kulturë që nuk e trajton gruan si ‘’të dytë’’ por si të barabartë e me plot vlera. Është po aq e rëndësishme të inkurajohen gratë dhe vajzat, të advokohet për to jo vetëm në tryeza e salla diskutimesh por derë me derë, të zbatohet legjislacioni e të trajtohen si prioritete respektimi i të drejtave dhe mundësive të barabarta për to. Gjithçka mund të bëhet për gratë e vajzat e për të mirën e tyre, është një e mirë e individit, e familjjes dhe e mbarë shoqërisë. Të përpiqemi t’i shtojmë jetës sonë më shumë buzëqeshje, më shumë ngjyra e ditë të diellta. Gjithkush e meriton.

Duaje veten, mbroje atë. Thuaji STOP DHUNËS e DISKRIMINIMIT

Të mësojmë të flasim me gjuhën e zemrës dhe bota do të jetë më e bukur…

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: