Ish-ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu ka reaguar lidhur me publikimin e aktgjykimit të plotë nga Gjykata Kushtetuese për të rrëzuar qeverinë Hoti nga një anë, por edhe për një përfundim në bazë të të cilit ajo vetë dhe Albin Kurtit i ndalet kandidimi në këto zgjedhje.

Në fakt, Haxhiu thotë se këto janë tentativa për të krijuar rrethana të paqena duke i futur të gjitha veprat në një thes, dhe kjo është e papranueshme dhe e gabueshme.

Haxhiu siguron se këto ditë shpallen data e zgjedhjeve dhe se listës do i prijë Albin Kurti. Në vitin 2018 Kurti bashkë me Albulena Haxhiun janë dënuar me burg për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend.

Pikërisht Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dalë me përfundimin në aktgjykimin e fundit për rrëzimin e qeverisë Hoti se ccdo person që në tre vitet e fundit është dënuar me vendim të formës së prerë më shumë se 1 vit burg nuk lejohet të kandidojë për deputet.

 

STATUSI NGA ALBULENA HAXHIU
Sot, u zyrtarizua ajo që e kemi thënë që nga 3 qershori i vitit 2020!
Një rast që do të mbahet mend në historinë e shkeljeve kushtetuese ku për më shumë se 6 muaj një qeveri e pazgjedhur e ardhur si pasojë e një pazari të madh me ish presidentin Thaçi, ia morën pa të drejtë vullnetin qytetarëve dhe fituesit të zgjedhjeve, por që pazari i tillë nuk iu eci gjatë sepse ditën e votimit nuk ishin as minimalisht në përputhje me kërkesat kushtetuese.
Vota e Etem Arifit e bënë 3 qershorin ngjarjen që bashkë me dekretin e Thaçit, kanë cenuar në themel frymën e demokracisë në Kosovë.
Qytetarët e kanë pritur më herët këtë vendim në mënyrë që pasojat të ishin minimale, por për arsye të pashpjeguara vendimi u publikua tek sot më 6 janar 2021!
Sikur ky vendim të ishte marrë në korrik 2020 të gjitha dëmet të cilat i kemi adresuar jo vetëm ne, por edhe qytetarët, do të ishin shmangur e veçanërisht heqja e reciprocitetit me Serbinë, keqmenaxhimi i pandemisë dhe jetët e humbura, vendosja në pikëpyetje e sovranitetit të Kosovës, ndërprerja e konceptimit të vetingut, pronësisa mbi Ujmanin, zvarritjet në themelimin e Institutit për krime lufte etj.
Tani është dita për të reflektuar thellë mbi këtë cenim të institucioneve të demokracisë sonë dhe për tu organizuar ashtu që kjo mos të ndodh kurrë më.
Në anën tjetër tentativa për të krijuar rrethana të paqena, të pabaza dhe të pasakta duke i futur gjithë dhe të gjitha veprat në një thes është e papranueshme dhe e gabueshme.
Ne çdo herë ju kemi paralajmëruar kur dikush ka tentuar të cenojë demokracinë dhe drejtën edhe pse kanë bërë obstruksione, në fund ka dalë ajo që kemi thënë dhe kështu do të jetë gjithnjë sepse ne jemi krahu i së drejtës dhe kurrë s’kemi synuar diçka që nuk na takon!
Këto ditë caktohet data e zgjedhjeve të reja që do të jenë manifestim solemn i demokracisë ku Lëvizja VETËVENDOSJE!, listës që do t’i prijë Albin Kurti do të marrë mbështetjen e fuqishme popullore!


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb