SHKODER- Policia e Shkodrës ka dhënë detaje të reja rreth zyrtarëve të arrestuar, por edhe të ndalurve në lidhje me aktin korruptiv në Hipotekën e këtij qyteti.

Sipas Policisë, personat e arrestuar janë kapur në flagrancë duke shkëmbyer para për një certifikatë pronësie në ambientet e ZVRPP-së.

Zyrtarët që përfunduan në pranga të policisë janë Johan Zefi, 39 vjeç, banues në lagje “Tom Kola”, Shkodër dhe  Ndoc Taraj, 70 vjeç, banues në fshatin Mushan, Shkodër.

 

“Finalizohet operacioni policor kundër korrupsionit i koduar “SEKSERI”Strukturat e D.V.P Shkodër në bashkëpunim me Forcat Operacionale të Policisë së Shtetit ekzekutuan urdhërat e ndalimit të Prokurorisë së Shkallës Parë Shkodër për dy shtetas dhe arrestuan në flagrancë dy të tjerë dhe konkretisht.Pas një hetimi disa mujor nga Prokuroria e Shkodrës në bashkëpunim me strukturat e specializuara të luftës kundër korrupsionit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve: Johan Zefi, 39 vjeç, banues në lagje Tom Kola, Shkodër, Ndoc Taraj, 70 vjeç, banues në fshatin Mushan, Shkodër,Këta shtetas janë kapur në flagrancë duke shkëmbyer para në këmbim të një çertifikate pronësie, në ambientet e ZVRPP”, shkruhet në njoftimin e policisë.

Të ndaluarit me urdhër të Prokurorisë së Rrethi Gjyqësor  janë Mirjan Bletaj, me detyrë Jurist pranë ZVRPP Shkodër dhe  Sokol Tirana, ku ndaj të cilëve rëndon akuza e “Ushtrimi të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

“Gjithashtu u bë ekzekutimi i urdhrave te ndalimit nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkoder, për shtetasit: Mirjan Bletaj, 31 vjeç, banues në lagjen Fahri Ramadani, Shkodër, me detyrë Jurist pranë ZVRPP Shkoder, Sokol Tirana, 49 vjeç, banues në lagjen Tom Kola, Shkodër. Shtetasit e sipërpermendur dyshohet se kanë konsumuar veprat penale “Korrupsioni Pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 259 dhe 245/1/ 2 të Kodit Penal. Vijojnë hetimet për dokumentimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal”, thekson njoftimi i policisë

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb