Mbrëmjen e sotme në emisionin “Open” në News24, debati është fokusuar në vendimin e fundit të marrë në thuajse gjysmën e shteteve amerikane, për ndalimin me ligj të abortit, vendim ky që ka sjellë mjaft reagime dhe protesta.

Sociologu dhe aktivisti Ergys Mërtiri  shprehet se është pro vendimit të Gjykatës për ndalimin e abortit, por mendon se mund të bëhet një abort deri në momentin kur fetusi ende nuk ka parametrat e formuar për t’u quajtur qenie njerëzore.

“Nuk jam jurist por me aq sa mundohem të kuptoj si funksionon kushtetuta, nuk më duket se vullneti i ligjbërësit kur përcakton një kushtetutë, ka pasur për qëllim që të japë të drejtë për kryerjen e abortit në mënyrë definitive. Argumenti që nxjerrin dhe thonë se gruaja ka të drejtë të bëjë ç’të dojë me trupin e saj, nuk qëndron sepse nuk bëhet fjalë për cënimin e trupit të gruas por një individi tjetër që është në barkun e gruas.

Ajo çfarë ka bërë Gjykata, nuk është se ka ndaluar abortit, por është shprehur se nuk është kushtetuese. Mendoj se kushtetuta nuk ia mbyll rrugën ligjit.

Mendoj se gjykata mori vendim të drejtë, qëndrimi im është që aborti mund të bëhet por në një fazë të hershme kur fetusi s’ka marrë formime, që në gjykimin e studiuesve, konsiderohet se nuk i ka parametrat për tu quajtur qenie njerëzore. I jap të drejtë kushtetutës, por duhet apo nuk duhet bërë, mendoj se deri në 40 ditë, edhe mund të bëhet. Problemi tjetër është që ka avancuar deri aty që në Amerikë aborti të bëhet deri në 27 javë, kur fëmijë ndjen, lëviz… aborti është vrasje, vrasje e një fëmijë, këtu duhet të flasin ekspertët se kur një fetus është qenie njerëzore”, u shpreh ai.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: