TIRANË

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme ka dhënë informacion zyrtar për operacionin antidrogë të zhvilluar mbrëmjen e sotme në Tiranë.

Janë 5 persona të arrestuar, një prej tyre efektiv i RENEA-s që sipas SHÇBA ishin pjesë e një rrjeti shpërndarësish kokaine që vepronte në disa zona në Tiranë. Rrjeti drejtohej nga një punonjës policie i Forcave Speciale.

NJOFTIMI I SHÇBA
SHÇBA godet grupin e shpërndarjes së lëndëve narkotike, deri tani 5 të shoqëruar në kushte flagrance, mes tyre 1 punonjës policie
Në vijim të një procedimi proaktiv nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës dhe me mbështetjen operacionale të DVP Tiranë, është finalizuar operacioni për goditjen e një rrjeti të shpërndarjes së kokainës në qytetin e Tiranës, i cili dyshohet se drejtohej nga një punonjës policie i forcave speciale.
Aktualisht janë të shoqëruar në kushte flagrance me provat materiale (kokainë dhe hashash) 5 shtetas:
Ata janë:
– R.L., 27 vjeç, punonjës policie pranë repartit special RENEA;
– J.L., 30 vjeç;
– G.H., 26 vjeç;
– G.S., 27 vjeç;
– E.S., 26 vjeç.
Aktualisht po vazhdojnë kontrollet e banesave të personave të implikuar.
Grupi vepronte kryesisht në zonën e njohur si “Parku i autobusëve”, Kombinatit, Misto Mame, Yzberisht dhe Qytet të Nxënësve.
Janë sekuestruar lëndë narkotike të dyshuara si kokainë dhe kanabis, para dhe armë.
Operacioni është në vijim e sipër dhe në përfundim të veprimeve do të ketë një njoftim për media.
SHÇBA mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb