Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka reaguar në lidhje me situatën e krijuar sot me ndalimin e homologut të tij rus të hynte në Serbi.

Ai është shprehur se nëse një vizitë e tillë nga Lavrov do të ndodhte, do të vihej në pikëpyetje edhe mbajtja e takimit të nismës Ballkani i Hapur në Ohër. Ai ka shtuar se tashmë takimi për “Open Balkan” do të mbahet sipas të gjitha planeve.

I pyetur nëse ka pasur ndonjë kontakt me kolegët e tij nga Serbia, Osmani u përgjigj se gjatë ditëve të fundit, është thënë qartë se hapat e tillë, nuk inkurajohen në angazhimin në kuadër të Ballkanit Perëndimor në kuadër të bashkëpunimit rajonal.

“Edhe pse Serbia, kuptohet, është shtet i pavarur i cili vetë i vendos prioritetet e saj të jashtme politike, në kuadër të disa iniciativave rajonale në të cilat marrim pjesë siç është Ballkani Perëndimor, kuptohet që më shumë rëndësi është që vendet me të cilat bashkëpunojmë të jenë në një linjë me ne në disa sisteme të vlefshme”, tha Osmani.

Lidhur me vendimin për ndalimin e udhëtimit të Lavrovit mbi hapësirën ajrore maqedonase, Osmani tha se kjo nuk kishte lidhje ndaj Federatës ruse, por me agresionin e Federatës ruse në Ukrainë, pra politikave të ndjekura nga Moska ndaj Kievit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb