TIRANE- Partia Demokratike ka reaguar ditën e sotme lidhur me ndalimin e Spiro Kserës, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale në kohën e qeverisjes së kësaj force politike. Në një deklaratë për mediat, sekretari i përgjithshëm i PD, Arben Ristani i ka kërkuar Prokurorisë që të zbardhë akuzat duke zbatuar ligjin.

“Partia Demokratike mbështet dhe inkurajon çdo hetim dhe akt të drejtësisë në luftën kundër korrupsionit. Partia Demokratike nuk bëhet pengesë e asnjë hetimi ndaj zyrtarëve apo ish-zyrtarëve të saj në asnjë rast dhe e vlerëson luftën ndaj korrupsionit si jetike për vendin.

Në lidhje me ndalimin e Spiro Kserës, PD i kërkon Prokurorisë të zbardhë akuzat dhe të veprojë me profesionalizëm duke zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin.

Ne inkurajojmë hetime të drejta dhe objektive, të pandikuara nga politika dhe veçanërisht nga nevoja që ka qeveria dhe kryeministri më i korruptuar në Ballkan, për të larguar vëmendjen nga hajdutëria masive që po bëjnë çdo ditë, në dogana, tatime, tendera, koncesione dhe privatizime”, thuhet në deklaratën e Ristanit.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb