TIRANE- Policia e Shtetit reagon pas deklaratës së kryedemokratit Lulzim Basha për ndalimin e dy prej protestuesve të 18 dhjetorit teksa tentonin të kalonin në pikat kufitare të vendit. Policia i kujton kryedemokratit se protestat janë të ligjshme, por po ashtu policia nuk do hezitojë të ushtrojë forcën e ligjin ndaj kujtdo që e shkel atë.

Njëri nga protestuesit, ish- shefi i FNSH-së Osman Levanaku, u ndalua në pikën e kalimit kufitar të Qafë-Thanës më 31 dhjetor, ndërsa më 1 janar u ndalua nga policia në pikën e kalimit kufitar në Morinë, Fiqirie Nezaj. Pas deklaratave në polici, ata u lanë të lirë, por kjo solli reagimin dhe revoltën e kryedemokratit Basha dhe eksponentëve të tjerë në Partinë Demokratike. Demokratët akuzuan policinë se po përdoret për qëllime politike

Reagim i Policisë së Shtetit
Lidhur me deklarimet e përfaqësuesve të disa subjekteve politike, për ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim policor ditët e fundit, Policia e Shtetit sqaron se:

Mbi bazën e referimit në Prokurorinë e Tiranës të datës 19.12.2017, për kundërshtim me dhunë të punonjësve të Policisë të planizuar në shërbim në sigurimin e protestës së opozitës zhvilluar në datë 18 dhjetor, përpara godinës së Kuvendit të Shqipërisë janë shpallur në kërkim një numër personash për “Kundërshtim të punonjësve të Policisë së Rendit Publik”, parashikuar nga neni 236/22, i Kodit Penal.

Mbi këtë bazë, sistemi TIMS në Pikat Kufitare dhe çdo patrulle policie që bie në kontakt me këta shtetas, ka detyrimin t’i ndalojë ata dhe të njoftojë OPGJ që ndjek çështjen.

Kjo ka ndodhur edhe ditët e fundit, kur janë evidentuar, ndaluar, ku u është marrë deklaratë dhe janë lënë të lirë, disa persona të shpallur në kërkim policor.

Hetimet ndaj tyre vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Policia e Shtetit garanton të drejten e protestes, por nuk do të hezitojë në asnjë rast të ushtrojë forcën e ligjin ndaj kujtdo që e shkel atë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb