E ftuar në emisionin “Alert”, në News24, nga Granit Sokolaj, Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, ka folur për urdhrin e ish-drejtorit të Policisë, Haki Çako, “Për forcimin e kontrollit të shtetasve shqiptar që kalojnë kufirin shtetëror”. Sipas urdhrit, të gjithë ata shtetas që deportohet nga vendet e Schengen/BE, edhe nëse nuk e kanë ndaluar udhëtimin përveç shtetit që e deporton, apo nëse iu ndodh kjo për arsye të shkeljes së afateve të lëvizjes së lirë, nuk mund të dalin nga territori i Shqipërisë për një periudhë 3-vjeçare.

Megjithëse në urdhër përmenden vendet e BE apo zona Schengen, shtetasit shqiptarë nuk mund të kalojë kufirin as për të udhëtuar drejt shteteve fqinje, si Kosovë, Maqedoni ose Mali i Zi. Edhe Avokati i Popullit, e ka konsideruar këtë urdhër si të paligjshëm e që bie ndesh me Kushtetutën, si dhe me të drejtën e lëvizjes së lire dhe në një shkresë të vitit 2020 ka rekomanduar shfuqizimin e këtij urdhëri. Megjithëse urdhri është shfuqizuar, në Pikat e Kalimit Kufitar vijon të zbatohet.

“Shqetësimi ynë nisi nga një qytetar i cili nuk u lejua të kalonte në vendet e rajonit, ndërkohë që i ishte ndaluar dalja në vendet e Schengen/BE. Policia e Shtetit nuk mund të ndalojë persona të tillë për vende që nuk janë në Schengen. Problemi ekzistonte se qytetari nuk lejohej të shkonte as në Kosovë. Qëllimi ish-drejtorit të Policisë Çako nuk mund të themi që ishte tërësisht i paligjshëm, por mënyra e zbatimit në Pikat Kufitare nuk ishte e duhur. Nuk themi që ky urdhër të mos ekzistojë, psh për persona që shkelin ligjin. Hapëm një hetim dhe urdhri është shfuqizuar, nuk është më në fuqi. Por si ka mundësi që ky urdhër vijon të zbatohet në Pikat Kufitare? Jo të gjitha të drejtat në Kushtetutë mund të mos na kufizohen, ka raste kufizimesh të cilat mund të vendosen me ligj për interes publik dhe mbrojtjen e jetës së të tjerëve. Duhet të bëhet me aktin, ligjin përkatës se kur është e ndaluar lëvizja e këtyre qytetarëve. Qytetarët duhet të informohen për kufizimet e tyre, edhe këto iu janë mohuar. Qytetarëve duhet t’ju jepet informacion për sa kohë janë deportuar dhe ku iu ndalohet lëvizja.

Policia nuk ka database dhe informacion të plotë për këto persona dhe jo vetem sistemi TIMS mund të na shërbejë si informacion. Policia duhet të japë një shkak përmes shkreses se pse i ndalohet qytetarit lëvizja, por nuk e bën. Ne si institucion monitorojmë të gjitha kthimet e detyruara për të parë nëse iu sigurohen të gjitha të drejtat. Nuk hyjmë në procedurën e marrjes së vendimit, por në mënyrën e kthimit të shtetasve shqiptarë nëse plotëson standardet. Kur vijnë në Rinas, bëhet procedurë individuale dhe policia duhet t’i japë urdhrin e deportimit, që t’ju japin informacion për sa kohë e kanë të ndaluar hyrjen në vendin nga janë deportuar apo në të gjithë zonë e Schengen. Policia nuk iu dorëzon një kopje dokumenti qytetarit dhe në kërkesat që u kemi dërguar kanë deklaruar se herë-herë ata i grisin se s’kanë interes ose është prishur printeri. Por është detyrë e policisë që t’i informojë, t’ja u komunikojë dhe ti japë kopje, të kenë dijeni rreth aktit, dokumentit. Jemi në proces firmosje me Frontex, për të organizuar punën, nëse kanë ndalime apo jo, sa është afati, që të kemi mundësi të kontaktojmë me zyrën përkatëse dhe për t’ja u dhënë qytetarëve”, deklaroi Erinda Ballanca.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb