TIRANE- Avokati i ish-deputetit të Kuvendit, Eduard Ndocaj ka reaguar pas publikimit të njoftimit nga Policia e Shtetit për ndalimin e “kaubojsit” në Portin e Durrësit dhe procedimit për veprën penale të “Mashtrimit”.

Ndonëse vetë Ndocaj deklaroi dje për BalkanWeb se ndalimi i tij ishte një sulm i pastër politik, avokati Jordan Daci tregon se kallëzimi është bërë nga një i moshuar italian, me fëmijët e të cilit zoti Ndocaj ka pasur marrëdhënie biznesi më herët, por shtoi se gjithçka është e deklaruar prej tij është e rreme.

“Ai është një i moshuar që vuan nga sëmundja e Alzhajmerit, ndoshta dhe për shkak të kësaj e ka bërë deklaratën”,- tha avokati, raporton “BalkanWeb”

“Ne po përgatitemi të bëjmë një padi për të për kallëzim të rremë”,- shtoi Daci.

PSE U NDALUA ISH DEPUTETI
Ish-deputeti Eduart Ndocaj u ndalua dy ditë më parë në portin e Durrësit, pasi ishte shpallur në kërkim nga Policia e Lezhës. Mësohet se Ndocaj kërkohej nga Sektori i Krimit Ekonomik të Policisë së Lezhës, pasi akuzohet se nëpërmjet mashtrimit, i ka vjedhur një shtetasi italian në Itali, shumën prej 78.000 € duke i premtuar një tender për shtrimin e një gazsjellësi në Shqipëri.

Mes të tjerash ai akuzohet se të njëjtit person i ka vjedhur një mjet tip “Audi Q7”, me targa “FD498LJ”. Tashmë ndaj ish-deputeti rëndon akuza ‘Skemat mashtruese dhe piramidale’. Ndocaj, një biznesmen nga Lezha, jeton prej vitesh në Itali, ndërsa atje ushtruan edhe aktivitetin e tij.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb