KORÇË

Policia Kufitare e Qafë Thanës, ndalon një shtetas të shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Pogradec për “Mashtrim”.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, gjatë patrullimit në kufi të gjelbër, kanë kapur shtetasin Andi Xhelo, 37 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, duke tentuar të kalonte kufirin nga Greqia drejt Shqipërisë, në mënyrë të paligjshme.

Nga verifikimet e kryera, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Pogradec, për veprën penale “Mashtrimi”, pasi kishte mashtruar shtetasin E. Sh., të cilit nuk i jepte një sasi lekësh.

Po kështu shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë në bashkëpunim me forcat “Frontex”, gjatë patrullimit në kufi të gjelbër, në hyrje të fshatit Trestenik, Devoll, kanë kapur shtetasit L. V., 30 vjeç dhe shtetasin D. M., 24 vjeç, banues në fshatin Trestenik, me një mjet motoçikletë tip “Lifan”, pa targa, gjatë kontrollit të së cilës iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 10 doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis.

Në vijim të veprimeve të mëtejshme procedurale, të kryera në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë, shtetasi L. V., u arrestua në flagrancë, ndërsa shtetasi D. M., u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën “Prodhimi e shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Pogradec e Korçë, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: