Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kritikoi të dielën diplomatët perëndimorë që nuk e bindën Prishtinën të lejojë hapjen e vendvotimeve për referendumin e Serbisë në zonat e banuara me shumicë serbe në Kosovë, ndërsa paralajmëroi sërish “pasoja afatgjata” lidhur me këtë çështje.

Serbia po mban një referendum në të cilin qytetarët e saj do të të deklarohen në pyetjen “a jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe janë pjesë e përpjekjeve të Serbisë për t’u afruar me strukturat evropiane. Zyrtarë të Bashkimit Evropian thonë se ndryshimet kushtetuese të Serbisë duhet të sigurojnë një gjyqësor të pavarur dhe pa ndikime politike.

Beogradi vendosi të shtunën që serbët nga Kosova të votojnë në disa qytete në jug të Serbisë, meqë Prishtina nuk lejoi votimet në Kosovë.Grupe mbështetësish të Listës Serbe, subjektit kryesor politike të serbëve të Kosovës që përkrahet nga Beogradi, protestuan të dielën kundër vendimit të autoriteteve të Kosovës.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiç, njëherësh ministër për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, tha se qytetarët serbë nuk do të “lejojnë që Prishtina t’i trajtojë ata si qytetarë të dorës së dytë”.

Të shtunën parlamenti i Kosovës mbështeti vendimin e qeverisë, për të mos lejuar hapjen e qendrave të votimit në Kosovë, për referendumin e Serbisë, me gjithë thirrjet nga diplomatët perëndimorë në Prishtinë që të lejohet votimi.

Me 76 vota për, parlamenti miratoi një rezolutë sipas së cilës mbajtja e referendumit të Serbisë në Kosovë, “cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës, është në kundërshtim me Kushtetutën, ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me normat e praktikat ndërkombëtare”.

Autoritetet thanë se qytetarët serbë, me shtetësi të dyfishtë, mund të votojnë përmes postës apo zyrës ndërlidhëse të Serbisë në Prishtinë.

Kosova, nuk e ka penguar pjesëmarrjen e serbëve lokal në zgjedhjet e Serbisë, por autoritetet thonë se ka dallim ndërmjet zgjedhjeve dhe çështjeve të brendshme të një vendi, siç është referendumi i së dielës në Serbi.

Beogradi vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës që u shpall në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, por është përfshirë në një proces bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve në shkëmbim të integrimeve evropiane./VOA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb