Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj i ftuar në emisionin ‘’Kjo Javë’’ të Nisida Tufës në News24 ka folur ekzkluzivisht për herë të parë për darkën e ‘famshme’ tek restoranti luksoz i Nusretit në Dubai.

Ahmetaj  thekson se ekipi qeveritar shqiptar nuk ishte për pushime, por për punë dhe saktësisht për Rindërtimin.

Sipas tij në atë darkë shqiptarët ishin pala e ftuar dhe kishin shkuar për të ngrënë bukë, ose siç e thotë Ahmetaj vetë  me shprehjen popullore ‘’ndajmë bukën’’.

Ai madje ka paralajmëruar se disponon edhe foto të liderëve të opozitës duke ngrënë pikërisht tek Nusr’eti. Madje ai thotë se në darkë nuk ishin vetëm politikanë, por ishin tre tryeza, tek njëra ministrat, tek e dyta zv/ministrat kurse tek e treta tryeza e medias teksa tek kjo e fundit ishin tre media me gazetarë e kameramanë.

 

PJESË NGA INTERVISTA E ARBEN AHMETAJ

 Pyetja: Jemi drejt fundit të bisedës, e kam të pa shmangshme në fakt zoti Ahmetaj të ju pyes; darka e famshme te Nusr’eti. Fillimisht kur patë të dilte dhe që shqiptarët nuk njiheshin me të, por edhe reagimet e më passhme, si e pritët, si u ndjetë?

Arbeh Ahmetaj: Një lajm është zakon që të… siç rezultoi; të keq interpretohet, të keq trajtohet, të shumëfishohet, madje madje, nganjëherë fillon edhe shikon edhe njerëz që i ke pranë, se si reagojnë, ishte, në respekt të pyetjes tuaj, ishim në një darkë buke! BUKË! Të ftuar…!

Pyetja: Pse gjendeshit aty?

Arben Ahmetaj: Ne gjendeshim atje, unë gjendesha për rindërtimin. Isha pjesë e një ekipi që diskutonte më gjerë se rindërtimi. Nuk është se ishim për, le të themi për pushime apo për, që s’bën vaki, nuk bën vaki. Ishim për punë, të ftuar, për të diskutuar disa projekte. Unë kam marrë pjesë në diskutimin e të gjitha projekteve dhe kryesisht kam punuar me rindërtimin! Ka qenë një bisedë e hapur me kompaninë, dhe kemi ftuar; po ja u them shqiptarëve, se nga një herë njerëzit kanë qejf; hëngri atë, hëngri këtë. Hëngrëm bukë, të ftuar. Dhe unë ja u thash para se të vija, është e turpshme, unë dhe ne kemi fotografi të liderëve të opozitës që hanë tek Nusr’eti…

Nisida Tufa: U komentuan fortë edhe heqja e videos nga vetë lokali në rrjetet sociale…

Arben Ahmetaj: Por është e shëmtuar, është e shëmtuar. Punët e tij ça bën lokali Ku dimë ne ça bën lokali, lokali bën punët e veta. Hëngrëm bukë! Të ftuar! Na kishin ftuar, siç ftojnë, siç ftojmë këtu kur vijnë i ftojmë për bukë, ndajmë bukën; është ajo shprehja e shqiptarëve “ndajmë bukën”…

Nisida Tufa: Në një restorant super luksoz…

 Arben Ahmetaj: Kush është restorant super luksoz? Cili? Tani do numërojmë, se e di ça bën, bënte një fejk njuz; nxorën një menu me monedhën, jo, me monedhën e emirateve dhe e shisnin sikur te ishte dollar. Është mensë mishi, po shiko nuk dua të komentoj këtë, është punë tjetër edhe sikur të ishte çfarë të deshte, edhe sikur të ishte, ishim të ftuar për të ndarë bukën; është zakon shqiptarësh. Ne i ftojmë që ndajmë bukën, i ftoj unë, i fton kryeministri, i fton presidenti, i fton Lulzim Basha, i fton iksi, i fton ypsiloni, FTOHEN për të ndarë bukën sepse tradita e ndarjes së bukës tregon dhe një lloj, le të themi, serioziteti në një marrëdhënie me pozicione ashtu siç janë. Mund të hajë edhe kryeministri me kryetarin e opozitës, ndajnë bukën, në pozicione të tyre kundërshtuese politike, po ndajnë bukën…

 Dhe ka respekt robi për bukën. BUKË! Ishim të ftuar për të ndarë bukën…!

 Pyetja: Kush ishit të ftuar në atë tryezë?

 Arben Ahmetaj: Ishim të ftuar në një mision, ishim të treja tryezat, të treja tryezat, ishte tryeza jonë, ishte tryeza e zëvendës ministrave, ishte tryeza e medias…

 Ishin tre media me gazetarë dhe me kameraman, dhe më vjen keq që EMAR Group nuk kishte ftuar ju si një nga televizionet më të mira, më dinjitoze në Shqipëri…

Nisida Tufa: Më mirë, shumë më mirë, nuk do…

Arben Ahmetaj: Jo, do ishte mirë ta shikonit, kaq. Ishim duke ndarë bukën në formën më miqësore dhe njerëzore, kaq, po ska rëndësi.

 Nisida Tufa: Faleminderit për përgjigjen dhe faleminderit për intervistën në emisionin ”Kjo Javë” zoti Ahmetaj, suksese në punën tuaj!

 Arben Ahmetaj: Faleminderit!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb