Vendimin e Kuvendit Komunal të Mitrovicës për hapjen e Urës së Ibrit për qarkullimin e automjeteve e ka përkrahur edhe qeveria e Kosovës.

Në një përgjigje me shkrim për RTK-në, qeveria thekson se paragrafi i parë i nenit 35 të Kushtetutës garanton lëvizjen e lirë të qytetarëve në Republikën e Kosovës në çdo vendbanim.

“Çfarëdo pengese në lirinë e lëvizjes cenon këtë të drejtë themelore. Prandaj edhe vendimi për heqjen e pengesave të tilla është veprim i drejtë dhe i duhur”.

Edhe misioni i KFOR-it ka reaguar rreth vendimit për të hapur për qarkullim urën mbi lumin Ibër.
Nga KFOR kanë thënë se “rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik”.

“Rihapja e urës është një çështje që duhet të zgjidhet përmes dialogut politik. Misioni i NATO-s, KFOR, vazhdon të monitoroj zhvillimet lokale dhe qëndron plotësisht i fokusuar në implementimin ditor të mandatit të tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit 1244 e vitit 1999, për të siguruar një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë për të gjitha komunitetet në Kosovë”, kanë thënë nga KFOR.

Ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se tani nuk është koha e duhur për ta ndërmarrë këtë veprim.

Sipas tij, kjo mund të përbëjë një tjetër krizë në vend, derisa shtoi se vitin e kaluar në vazhdimësi Bashkimi Evropian është marrë me menaxhim krizash.

Lajçak ka shtuar se zgjidhja e çështjes Kosovë-Serbi është ndër sfidat më strategjike, pasi ka thënë se shqiptarët dhe serbët jetojnë në tërë rajonin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb